Zelensky: Bjellorusia të mos përfshihet në luftën e Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar Bjellorusinë që të mos përfshihet më tej në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke i bërë thirrje të marrë shembull nga zhvillimet e fundit në Venezuelë.

“Natyra dhe pasojat e ngjarjeve më të fundit në Venezuelë duhet ta pengojnë udhëheqjen e Bjellorusisë të bëjë gabime”, deklaroi ai.

Në janar, gjatë një operacioni ushtarak amerikan, lideri i Venezuelës, Nicolas Maduro, u kap dhe u dërgua në Nju Jork, ku qëndron në paraburgim për akuza që përfshijnë trafik droge, ndër të tjera.

“Shërbimet  ukrainase të zbulimit tregojnë se Bjellorusia ka nisur zgjerimin e rrugëve dhe ndërtimin e pozicioneve të artilerisë pranë kufirit me Ukrainën”, tha presidenti Zelensky.

Ai nuk paraqiti prova konkrete për këto aktivitete.

Në shkurt 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, trupat ruse hynë në territorin ukrainas edhe nga Bjellorusia.

“Ne supozojmë se Rusia do të përpiqet sërish ta tërheqë Bjellorusinë në luftë”, tha Zelensky, duke shtuar se ka udhëzuar kanalet përkatëse të paralajmërojnë Minskun për pasojat.

“Ukraina është e gatshme të mbrojë territorin dhe pavarësinë e saj”, theksoi ai.