Lufta “djeg” miliarda/ Izraeli zbulon faturën e konfliktit me Iranin: Mbi 11 miliardë dollarë deri tani

Lufta kundër Iranit, e zhvilluar së bashku me SHBA-në, i ka kushtuar Izraelit mbi 11 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të parë të bërë nga Ministria e Financave e vendit.

Bëhet fjalë për rreth 35 miliardë shekelë, ku pjesa më e madhe, rreth 22 miliardë, është përdorur për shpenzime në mbrojtje. Kjo kosto është përfshirë tashmë në buxhetin e vitit 2026.

Ndërkohë, tensionet janë rritur edhe më shumë pas dështimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi masa të forta, duke urdhëruar Marinën amerikane të nisë kontrollin dhe bllokimin e anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, nëse ato kanë lidhje me Iranin.

Ai bëri të ditur gjithashtu se do të nisë operacioni për neutralizimin e minave detare të vendosura nga Irani në këtë zonë strategjike. Sipas tij, çdo veprim armiqësor ndaj forcave amerikane apo anijeve civile do të përballet me përgjigje të menjëhershme.