Pas kërcënimeve për bllokim, Emiratet reagojnë ashpër: Mbyllja e Hormuzit k*rcënon botën
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë reaguar kundër kërcënimeve të Iranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Ministri i industrisë, Sultan Ahmed Al Jaber, ka bërë të qartë se kjo ngushticë nuk i përket Iranit dhe nuk mund të mbyllet apo kufizohet nga një vend i vetëm.
Ai paralajmëroi se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale.
Sipas tij, ndërprerja e kësaj rruge do të ndikonte drejtpërdrejt në furnizimin me energji, ushqim dhe stabilitetin ekonomik në shumë vende të botës.
Tensionet janë rritur që pas veprimeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit në fund të shkurtit. Si reagim, Irani ka kërcënuar se mund të sulmojë anijet që kalojnë në këtë zonë.
Kjo situatë ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë ulje të dërgesave dhe rritje të çmimeve të naftës dhe gazit.
Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe e shohin këtë si një rrezik serioz dhe paralajmërojnë se një precedent i tillë është i papranueshëm për gjithë botën.

