ANALIZA/ A rrezikon Orban largimin nga pushteti?

Pas afro dy dekadash në pushtet, kryeministri hungarez Viktor Orban përballet me një nga sfidat më të mëdha politike, pasi sondazhet tregojnë se ai mund të humbasë zgjedhjet parlamentare të së dielës, sipas CBS.

Sipas të dhënave të fundit, partia e tij në pushtet, ”Fidesz”, është prapa opozitës së qendrës së djathtë, ”Tisza”, e drejtuar nga Péter Magyar.

Një sondazh i institutit IDEA e vendos ”Tisza”-n në rreth 50% të votuesve të vendosur, ndërsa Fidesz në 37%.

Orban ka qenë në pushtet që nga viti 2010 dhe gjatë kësaj periudhe është kritikuar nga organizata ndërkombëtare dhe nga Bashkimi Evropian për dobësimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Sipas “Transparency International”, Hungaria është kthyer në vendin më të korruptuar në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, ”Human Rights Watch” ka akuzuar qeverinë për kufizim të mediave të pavarura, ndërhyrje në sistemin gjyqësor dhe politika diskriminuese ndaj komunitetit LGBTQ dhe emigrantëve.

Organizata ”Freedom House” e klasifikon Hungarinë si “pjesërisht të lirë”, duke ngritur shqetësime për zgjedhje jo plotësisht të lira dhe institucione të dobësuara.

A mund të humbasë një aleat i rëndësishëm i Donald Trump?

Orban konsiderohet një nga aleatët më të ngushtë ndërkombëtarë të presidentit amerikan Donald Trump. Ai ishte i vetmi lider i BE-së që mbështeti publikisht kandidaturën e Trump në vitin 2016 dhe marrëdhënia mes tyre është forcuar me kalimin e viteve.

Së fundmi, presidenti Trump i dha një mbështetje të fortë publike, duke e quajtur Orbann një lider “të fuqishëm dhe të respektuar”, që ka sjellë rezultate në ekonomi, siguri dhe kontroll të emigracionit.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance gjithashtu mori pjesë në një miting në Budapest, duke bërë thirrje për mbështetje ndaj Orbánit dhe duke e lidhur atë me vlera si sovraniteti dhe traditat perëndimore.

Marrëdhënie të thella politike dhe ideologjike

Marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe qeverisë hungareze shkojnë përtej deklaratave publike. Institucione konservatore amerikane, si “Heritage Foundation”, e kanë cilësuar modelin e Orbanit si shembull për qeverisje konservatore.

Instituti ”Danube” në Budapest ka bashkëpunuar me këto organizata për të studiuar politikat hungareze, ndërsa Hungaria ka pritur edhe aktivitete ndërkombëtare të së djathtës, përfshirë konferencën CPAC.

Orban gjithashtu mori pjesë në nisma ndërkombëtare të lidhura me Trump, si Bordin e Paqes në Davos dhe në SHBA, ndërsa në shkurt dy vendet nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim civil bërthamor.

Një votim me rëndësi globale

Zgjedhjet në Hungari shihen si një moment kyç jo vetëm për vendin, por edhe për balancat politike në Evropë dhe më gjerë. Ato janë një test i rëndësishëm për drejtimin politik të Hungarisë, por edhe për ndikimin e lëvizjeve konservatore në Evropë.

Një fitore e opozitës do të përfaqësonte një ndryshim të madh politik dhe mund të dobësonte një nga figurat më të rëndësishme të së djathtës konservatore në kontinent.

Nga ana tjetër, një tjetër mandat për Orban do të konfirmonte vazhdimësinë e modelit të tij politik, i cili ka ndikuar edhe në debatet politike jashtë Hungarisë.

Zgjedhjet pritet të jenë ndër më të rëndësishmet në historinë e fundit të vendit, me pasoja që mund të ndihen përtej kufijve të tij.