Kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, Emini: Administrata amerikane nën presion të fortë nga industria e naftës

Në prapaskenë, me ndërmjetësimin e Pakistanit, po zhvillohen negociata intensive mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat po ndiqen me vëmendje nga e gjithë bota. Megjithëse ekziston një optimizëm i matur për arritjen e një marrëveshjeje të pjesshme, një pikë kritike rrezikon të hedhë në erë gjithçka: kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit.

Nefail Emini, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një intervistë për “Ora News” u shpreh se sinjalet e para pozitive kanë ardhur me arritjen e një dakordësie për shkrirjen e aseteve iraniane të ngrira në Katar dhe vende të tjera, me një vlerë rreth 6 miliardë dollarë.

Megjithatë, tha ai, ky progres zbehet nga ngërçi i thellë diplomatik lidhur me rrugën ujore më strategjike në botë për transportin e energjisë.

Emini u shpreh se konflikti qëndron në kërkesën e palës iraniane për të pasur kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit dhe për të vendosur tarifa për anijet cisterna që e përshkojnë atë.

Kjo lëvizje kundërshtohet ashpër nga Shtetet e Bashkuara, të cilat, theksoi në analizën e tij Nefail Emini, insistojnë të jenë bashkëpjesëmarrëse në kontrollin e ngushticës për të garantuar lundrimin e lirë.

Situata është tensionuar aq shumë sa marina amerikane ka filluar operacionet për pastrimin e minave në këtë kanal jetik.

Sipas Eminit, Irani po përdor pozicionin e tij strategjik si një mjet presioni të fuqishëm për të siguruar lëshime sa më të mëdha në tryezën e bisedimeve.

Duke pasur parasysh se rreth 20% e naftës botërore dhe një sasi e konsiderueshme e gazit natyror të lëngshëm kalojnë përmes kësaj ngushtice, Teherani e sheh këtë si një “aset” që mund ta shfrytëzojë në maksimum për të ushtruar presion mbi SHBA-në dhe tregjet globale të energjisë.

Nga ana tjetër, theksoi Emini, për Uashingtonin kjo çështje përbën një “vijë të kuqe”. Administrata amerikane ndodhet nën presion të fortë nga industria e naftës për të mos lejuar në asnjë mënyrë kontrollin iranian apo vendosjen e tarifave.

Frika më e madhe është se një precedent i tillë do të hapte “kutinë e Pandorës”. “Kjo mund të inkurajonte vende të tjera, si Turqia, të vendosnin tarifa për kalimin në ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve, apo të tjerë në pika kyçe si Bab-el-Mandeb apo Ngushtica e Malakës, duke shkaktuar një kaos në tregtinë ndërkombëtare”, u shpreh Emini.

Ndërsa negociatat vazhdojnë, eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare u shpreh se fati i marrëveshjes dhe stabiliteti i tregjeve globale të energjisë varet nga zgjidhja e këtij ngërçi strategjik. E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Iran dhe, në një masë të madhe, e ekonomisë botërore, po luhet në ujërat e ngushta të Hormuzit.

NDIQNI ANALIZËN E PLOTË TË EKSPERTIT NEFAIL EMINI NË “ORA NEWS”