"LUFTA E PAQJA" E LINDJES SË MESME! Bisedimet SHBA-Iran, vendimtare për paqen dhe ekonominë globale
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron Iranin për Ngushticën e Hormuzit, ndërsa bota përgatitet për pasoja në furnizimin global me naftë. Në sfond, priten me tension bisedimet e paqes mes SHBA-VE dhe Iranit, që mund të përcaktojnë jo vetëm stabilitetin në Lindjen e Mesme, por edhe ecurinë e ekonomisë botërore.
Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa vëmendja globale është përqendruar tek Ngushtica e Hormuzit, një arterie jetike nga ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit në botë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin kundër çdo ndërhyrjeje apo vendosjeje tarifash për anijet që kalojnë në këtë korridor strategjik, duke e cilësuar menaxhimin e situatës nga Teherani si problematik dhe jashtë marrëveshjeve ekzistuese.
Irani kërkon dëmshpërblime për luftën e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, si dhe një mënyrë të re për të menaxhuar Ngushticën e Hormuzit.
Kjo u bë e qartë nga Ajatollah Mojtaba Khamenei në një mesazh me rastin e 40 ditëve të vrasjes së babait të tij, Ali Khamenei.
Ndërkohë, liderët botërorë po lëvizin për të shmangur një krizë energjetike. Japonia po planifikon të çlirojë rezerva nafte, ndërsa vende të tjera si Australia po kërkojnë burime alternative furnizimi.
Në planin diplomatik, të gjitha sytë janë drejtuar nga bisedimet e paqes mes SHBA-së dhe Iranit që pritet të zhvillohen në Islamabad. Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga zëvendëspresidenti JD Vance, ndërsa nga pala iraniane pritet një përfaqësim i nivelit të lartë.
Megjithatë, sfidat mbeten të shumta. Palët janë ende larg dakordësisë për kushtet e armëpushimit, ndërsa kërkesat e Iranit përfshijnë çështje të ndjeshme si kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit dhe heqja e sanksioneve.
Në terren, situata mbetet e brishtë. Sulmet në Liban dhe tensionet me grupin Hezbollah rrezikojnë të prishin armëpushimin e përkohshëm, ndërsa frika për përshkallëzim vazhdon.
Ekspertët paralajmërojnë se rezultati i këtyre bisedimeve do të jetë vendimtar jo vetëm për paqen në rajon, por edhe për stabilitetin ekonomik global, pasi çdo ndërprerje në furnizimin me energji mund të ketë pasoja të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare.
Në një moment kritik për Lindjen e Mesme dhe botën, ora po ecën shpejt drejt një vendimi që mund të ndryshojë rrjedhën e krizës.

