Propozimet për ligjin e Gardës, Dhima: Rrisim profesionalizmin dhe besueshmërinë

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, miratoi sot në parim projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Gardën e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë prezantimit të projektligjit deputetja nismëtare, Antoneta Dhima, theksoi se kjo nismë vjen si rezultat i nevojës për të përmirësuar kuadrin ligjor ekzistues, bazuar në disa problematika të evidentuar në praktikë.

Dhima nënvizoi se qëllimi është “që të ndërtojmë një bazë ligjore më të saktë, më të drejtë dhe funksionale që i përgjigjet kërkesave të një institucioni kaq të rëndësishme për sigurinë dhe funksionimin e shtetit”.

Deputetja socialiste shtoi se projektligji synon plotësimin e boshllëqeve ligjore.

“Veçanërisht ato që kanë të bëjnë në lidhje me procedurat e konkurrimit për grada. Përcaktohen qartë procedura për gradën nënkomisar duke vendosur standard të mirëfillta dhe duke shmangur hapësirat për interpretime të gabuara.

“Së dyti kemi ndërhyrë në rregullimin e kritereve për emërimin e drejtorit të përgjithshëm duke garantuar respektimin e hierarkisë së gradave dhe parimin e barazisë mes punonjësve.

“Së treti projektligji krijon mundësinë për hapjen e institucionit ndaj burimeve të reja njerëzore, duke lejuar konkurrimin dhe të punonjësve të cilët ushtrojnë aktivitetin dhe një struktura të tjera të sigurisë”, tha Dhima.

Një tjetër element thelbësor sipas saj, “është qartësimi i marrëdhënieve të punës duke përcaktuar më saktë rastet e ndërprerjes së tyre dhe mundësinë e rikthimit si dhe duke bërë dallimin e qartë mes lirimit nga detyra dhe përjashtimit”.

Dhima shtoi se synohet të ketë një rritje të standardeve në karrierë.

“Këto ndryshime sjellin harmonizim më të mirë të legjislacionit. Ka ndikim në rritjen profesionalizmit dhe besueshmërisë së Gardës”, tha ajo.

Sipas saj ndryshimet janë një hap për ta forcuar institucionin e Gardës, për të mbështetur karrierën e punonjësve të tij dhe për të garantuar standard më të larta në sigurinë publike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, shprehu gjithashtu dakordësinë parimit të Ministrisë së Brendshme në lidhje me ndryshimet e propozuar.

Nga ana tjetër, opozita tha se ligji po ndryshohet për t’ju përshtatur kandidatëve.

“Për shkak se ju e keni vendosur se kush do të jetë në krye të Gardës, por nuk plotëson ai kandidat kriteret, hiqet masteri dhe hiqet vjetërsia e punës për drejtuesin e ri të Gardës. Për këtë institucion kaq të rëndësishëm, ju thoni se drejtuesi nuk ka nevojë për master. Nuk mund të hiqni vjetërsinë e punës”, tha Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike.