"Skema e re bujqësore lë jashtë fermerët e vegjël"/ Nunaj: Shumica prej tyre nuk arrijnë të përmbushin kriteret
Në një lidhje direkte për Ora News, ekspertja e ekonomie Teuta Nunaj, foli për mbështetjen aktuale bujqësore dhe ndikimin e saj te fermerët e vegjël.
Ajo theksoi se skemat ekzistuese shpesh përjashtojnë prodhuesit më të vegjël, për shkak të kufizimeve minimale për numrin e krerëve ose sipërfaqen e tokës së mbjellë.
“Edhe pse kufizimet janë përgjysmuar krahasuar me të kaluarën, fermerët e vegjël shpesh mbeten jashtë skemës, sepse nuk arrijnë të plotësojnë kriteret,” tha Nunaj.
Ajo shtoi se zgjidhja nuk qëndron vetëm te formulimi i skemave të reja, por te një analizë e thelluar e politikave ekzistuese për të identifikuar problematikat dhe dështimet.
Vetëm pas këtij hapi mund të ndërtohet një plan me objektiva konkrete, si rritja e produktit të brendshëm bujqësor.
Në lidhje me debatet për mbështetjen direkte për hektar dhe subvencionimin e inputeve, Nunaj vuri në dukje një zgjidhje afatshkurtër.
“Subvencionimi i naftës është i rëndësishëm për momentin për shkak të rritjes së çmimeve, por kjo është një zgjidhje afatshkurtër.”-shtoi ajo.
Ajo shtoi se çelësi i një politike të suksesshme bujqësore është dëgjimi i fermerëve:
“Çdo plan masash duhet të ndërtohet mbi nevojat reale të atyre që punojnë tokën, në mënyrë që mbështetja të ketë reflektim të drejtpërdrejtë te prodhuesit.”-tha Nunaj.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

