Malota: Gabimet zinxhir që eliminuan Shqipërinë dhe shpresa që vjen nga Kosova

Eliminimi i Shqipërisë pas humbjes me Poloninë shihet si një mundësi e artë e humbur, ku faji nuk duhet kërkuar te një individ i vetëm, por në një sërë gabimesh në menaxhimin e ndeshjes.

Sipas një analize të bërë në emisionin "Sport Focus", në "Ora News", nga Renato Malota, disfata ishte një "gjynah", pasi kualifikimi ishte plotësisht i arritshëm dhe ndeshja pasardhëse kundër Suedisë do të kishte qenë potencialisht më e lehtë.

" T'i marrim me radhë, të flasim për Shqipërinë, të parën. Mënyra se si shkoi ndeshja është gjynah domethënë, që ne nuk arritëm ta kalonim atë ndeshje dhe më beso që ndeshja tjetër do ishte më e lehtë se me, se me Poloninë, sepse Suedia nuk është më ajo që ka qenë dikur.

Ishin shansa të mëdhaja, por mendoj që keqmenaxhimi i ndeshjes, flas tash se nuk dua t'i hyj më hollësisht, nga stafi apo edhe lojtarët.

Por ne shqiptarët kemi një gjë që duhet t'ia vëmë fajin Bajramit në atë rastin që humbi, a kupton?

Nuk është pse, nuk kemi pse t'ia vëmë një lojtari, më kupton?

Gjërat shkojnë zinxhir. Domethënë, gjithë ekipi ndoshta mund të bënte më mirë, ndoshta ndonjë zëvendësim një çikë më përpara.

Dhe kur ndeshja shkoi një me një, prapë domethënë shansat ishin të barabarta dhe me aq sa e logjikoj unë, trajneri duhet të ndërhynte në mesfushë, më kupton?

Gjë që nuk e bëri, e bëri shumë vonë dhe dhe aty ne e pësuam golin. Sa i përket Kosovës, të them të drejtën, na ka bërë krenarë dhe me atë lojë që bëri me Turqinë, sepse luajtën mjaft mirë, patën disa raste, disa shance për të realizuar dhe mënyra se si e pësoi atë gol ishte, me thënë të drejtën më erdhi shumë keq, por mendoj që kanë bërë një, një ndeshje shumë të mirë", u shpreh Malota.