Zjarr në Libanin jugor/ 7 viktima dhe 40 të pl*gosur nga sulmet ajrore izraelite

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur pas sulmeve ajrore të Izraelit në jug të Libanit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze.

Një nga sulmet më të rënda ndodhi në Maraka, pranë qytetit bregdetar Tir, ku humbën jetën pesë persona dhe një tjetër u plagos.

Më herët, dy vajza u vranë dhe 22 persona të tjerë u plagosën në Hamboush, pranë Nabatieh.

Nga ana tjetër, një ushtar izraelit 21-vjeçar humbi jetën gjatë operacioneve tokësore kundër Hezbollah. Gjatë ditës, Tir dhe zonat përreth u bombarduan disa herë, duke shkaktuar dëme të mëdha, përfshirë një spital dhe disa ndërtesa.

Edhe pse autoritetet kërkojnë evakuim, rreth 20 mijë banorë, përfshirë 15 mijë të zhvendosur, vazhdojnë të qëndrojnë në qytet.

Konflikti në rajon ka përshkallëzuar që nga 2 marsi, pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe raketave të lëshuara nga Hezbollah.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani 1,422 persona kanë humbur jetën në Liban, përfshirë 126 fëmijë, dhe mbi 1 milion janë zhvendosur. Izraeli ka humbur 11 ushtarë në përleshje.