'Ringjallen' bisedimet për paqen! Witkoff dhe Kushner pritet të vizitojnë Ukrainën në prill
Ndihmësi kryesor i presidentit ukrainas, Kyrylo Budanov njoftoi se, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner mund të udhëtojnë për në Kiev në prill, mes përpjekjeve për të ringjallur bisedimet e paqes me Rusinë, të cilat ngecën pas shpërthimit të luftës në Gjirin Persik.
Mediat e huaja shkruajnë se, Budanov deklaroi se, takimi mund të zhvillohet menjëherë pas Pashkëve Ortodokse më 12 prill. Kjo do të ishte vizita e parë zyrtare në Kiev për Witkoff dhe Kushner, të cilët më parë janë takuar me përfaqësues ukrainas në SHBA, por kanë udhëtuar në Moskë për bisedime me Rusinë.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Uashingtoni midis Ukrainës dhe Rusisë për t'i dhënë fund luftës katërvjeçare të Moskës në Ukrainë ngecën pasi SHBA-të dhe Izraeli bombarduan Iranin, duke shkaktuar valë sulmesh hakmarrëse ndaj shumë shteteve të Lindjes së Mesme.