Do festonte Pashkët me familjen, Bosi i Camorra-s arrestohet në resortin luksoz
Pas muajsh në kërkim, Roberto Mazzarella, bosi 48-vjeçar i klanit Camorra, u prangos nga polcia italiane, në një resort luksoz në bregdetin e Vietri sul Mare.
Prania në rrjetet sociale dhe analiza e lëvizjeve financiare të familjarëve çuan në identifikimin dhe arrestimin e Mazzarella i cili ndodhej në vilë me bashkëshorten dhe fëmijët për festat e Pashkëve, kur u ndërmor operacioni.
Hetuesit arritën tek ai përmes gjurmëve dixhitale dhe monitorimit të transaksioneve financiare, ndërsa në momentin e arrestimit nuk pati rezistencë. Mazzarella ishte në listën e personave më të kërkuar nga Ministria e Brendshme italiane dhe në arrati që prej 28 janarit 2025, pas një urdhërarresti nga Gjykata e Napolit.
Ai akuzohet për përfshirje në një vrasje të lidhur me konfliktin mes klanit të tij dhe Alleanza di Secondigliano. Viktima, Antonio Maione, dyshohet të jetë goditur për shkak të lidhjeve familjare me një person të përfshirë në vrasjen e babait të Mazzarellës. Në vilën ku u arrestua, policia italine sekuestroi ora të shtrenjta, rreth 20 mijë euro cash, dokumente false, telefona dhe materiale të shkruara që mund të lidhen me aktivitete financiare të paligjshme.
