Gjermania ndryshon rregullat e shërbimit ushtaraë: Të rinjtë duhet miratim për çdo qëndrim jashtë vendit

Gjermania ndryshon rregullat e shërbimit ushtaraë: Të rinjtë
Qeveria gjermane ka vendosur rregulla të reja që prekin burrat nga 17 deri në 45 vjeç, të cilët duhet të kërkojnë leje për qëndrime jashtë vendit mbi tre muaj.

Kjo pjesë e ligjit të ri për shërbimin ushtarak vullnetar synon të forcojë mbrojtjen e vendit pas rritjes së shqetësimeve për sigurinë në Evropë, sidomos pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ligji kërkon që çdo burrë mbi 17 vjeç të marrë miratim për qëndrime të gjata jashtë vendit dhe parashikon rritjen e numrit të trupave të Bundeswehr në 260 mijë deri në vitin 2035.

Nga viti 2027, të rinjtë 18-vjeçarë do të vlerësohen edhe fizikisht për shërbim vullnetar, në rast mobilizimi.

Edhe pse shërbimi mbetet vullnetar, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e rikthimit të detyrimit të përgjithshëm nëse situata e sigurisë përkeqësohet.

Masat kanë shkaktuar reagime të forta tek të rinjtë, të cilët kanë protestuar kundër angazhimit të detyruar ushtarak.

Kancelari Friedrich Merz po synon që ushtria gjermane të bëhet forca më e fuqishme konvencionale në Evropë, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare po nxisin një rritje të ndjeshme të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.