PISTAT E HETIMIT/ Detaje nga vdekja e të moshuarit në Korçë, shoqërohen disa persona
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar në fshatin Bulgarec, pranë qytetit të Korçës, ku një 78-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij.
Viktima, Gëzim Vija, dyshohet se është vrarë, pasi në trupin e tij janë konstatuar shenja të dukshme dhune. Sipas burimeve nga grupi hetimor, i moshuari është goditur në kokë, ndërsa dy plagë të rënda dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen.

Hetimet paraprake sugjerojnë se autori mund të ketë pasur njohje me viktimën, çka dyshohet se i ka mundësuar hyrjen në banesë pa përdorur forcë. Një tjetër element që po hetohet është fakti se, pas krimit, dera e jashtme e banesës është gjetur e mbyllur me çelës, duke ngritur dyshime se autori është larguar duke tentuar të fshehë gjurmët.
Në kuadër të hetimeve, policia e Korçës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona që kishin lidhje të afërt me 78-vjeçarin, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Ndërkohë, pritet që ekspertiza mjeko-ligjore dhe dëshmitë e mbledhura të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen.

