Hapja e Ngushticës së Hormuzit/ Franca kërkon ndërhyrjen e Kinës

Franca po kërkon një angazhim më të madh nga Kina për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale.

Shefi i Marinës Franceze, Nicolas Vaujour, tha se deri tani nuk është parë një përfshirje konkrete nga marina kineze për rikthimin e lundrimit normal në këtë zonë.

Ai bëri me dije se ekziston komunikim politik mes Kinës dhe Iranit për kalimin e disa anijeve, por kjo nuk mjafton për të kthyer situatën në normalitet.

Sipas tij, Kina duhet të marrë një rol më të dukshëm në negociata dhe të tregojë më shumë interes për zgjidhjen e situatës.

Franca, nga ana tjetër, po përpiqet të ndërmjetësojë mes vendeve të përfshira për të gjetur një zgjidhje që do të lejojë rihapjen e kalimit detar. Në këtë proces, prania e forcave ushtarake shihet si e nevojshme për të garantuar sigurinë.

Vaujour sqaroi gjithashtu se aktualisht nuk ka të dhëna që zona e ngushticës të jetë e minuar.