JO NAFTË FALAS, PARA PËR TOKËN E MBJELLË/ Skema e Bujqësisë 2026: Rriten subvencionet direkte për fermerët
Për herë të parë, fermerët do të marrin para për sipërfaqet e mbjella dhe jo më naftë falas për të punuar tokën. Qeveria miratoi skemën kombëtare të Bujqësisë që projekton 2.5 miliard lek Subvencioneve. Materiali u informon si mund të përfitoni!
Fermerët nuk do të marrin më naftë falas siç ndodhte, por 10 mijë lekë pagesë për çdo hektar të mbjellë me kultura bujqësore, kur sipërfaqja e kultivuar është jo më pak se tre hektarë!
Kjo formë e mbështetjes që do të aplikohet për herë të parë në vendin tonë, është një nga risitë e Skemës Kombëtare të Bujqësisë, e miratuar këtë të hënë nga Këshilli i Ministrave.
Fondi prej 2.5 miliardë lekësh parashikon ndryshime dhe rritje të mbështetjes me subvencione direkte për fermerët dhe blegtorët.
Skema e re bëhet më gjithëpërfshirëse për blegtorinë duke ulur pragjet e përfitimit, ndërsa për kontrollin biologjik në sera mbështetja rritet në 70% të kostos nga 50% që ishte më parë.
Mbështetja për mbarështuesit e lopëve rritet në 12 mijë lekë nga 10 mijë që ishte, ndërsa kriteri për përfitim mbetet që fermat të kenë jo më pak se 10 krerë.
Mbështetja për bletarët dyfishohet në 20 mijë lekë nga 10 mijë që ishte më parë, ndërsa kushti ulet në 25 koshere nga 50.
Edhe për bagëtitë e imëta subvencioni rritet në 1,500 lekë për krerë, me kusht që ferma të ketë jo më pak se 50 krerë.
Për herë të parë përfshihet mbështetja për dosat në sektorin e derrave, me 7 mijë lekë për dosë në fermat me të paktën 5 krerë.
Shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të mbështeten në 100% të masës së përfitimit, ndërsa fermerët e rinj përfitojnë deri në 70% të investimit, por jo më shumë se 1 milion lekë.
Mbështetje parashikohet edhe për rritjen e peshkut në ujërat e brendshme, me 200 mijë lekë për blerje rasati, ndërsa skema synon të rrisë numrin e përfituesve dhe efektivitetin e subvencioneve në sektorin bujqësor.
