"Shqipëria me pasuri në naftë por që s'e rafinon atë"/ Musabelliu: Detyrohemi ta importojmë, çmimi preket nga tregu ndërkombëtar

Çmimi i karburanteve në Shqipëri vijon të jetë një nga temat më të diskutuara.

Për të sqaruar se si formohet ky çmim dhe çfarë e ndikon më shumë, në një lidhje direkte për Ora News ishte i ftuar Enkelejd Musabelliu, Zëvendësministër i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ai shpjegon se Shqipëria mbetet e varur nga importi, pasi nuk ka kapacitete rafinimi, dhe për këtë arsye çmimi ndikohet drejtpërdrejt nga tregjet ndërkombëtare dhe zhvillimet gjeopolitike.

“Shqipëria është një vend që ka pasuri në naftë, por nuk e rafinon atë. Kjo na detyron ta importojmë dhe çmimi ndikohet nga tregjet ndërkombëtare dhe situatat si krizat në Lindjen e Mesme apo në Ukrainë.”- tha ai.

Sipas tij, elementi që e dallon Shqipërinë nga shumë vende të tjera është përfshirja e taksës së qarkullimit në çmimin për litër të karburantit.

Ndryshe nga disa vende të Bashkimit Europian, ku kjo taksë paguhet si tarifë fikse për automjetin, në Shqipëri ajo lidhet me sasinë e karburantit që konsumohet.

“Taksa e qarkullimit në çmimin e naftës bën që pagesa të mos jetë fikse për çdo mjet, por të lidhet me përdorimin. Kush qarkullon më shumë, paguan më shumë, ndërsa ai që përdor më pak automjetin paguan më pak.”- shtoi Musabelliu.

Ai shton se pjesa tjetër e çmimit, si marzhet e tregtimit dhe çmimi i importit, janë në linjë me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Sipas tij, struktura e çmimit në Shqipëri nuk ndryshon shumë nga vendet e tjera, përveç këtij elementi fiskal që ndikon drejtpërdrejt në koston për konsumatorin.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: