PLAZHET ENDE PA ORGANIZIM! Topuzi: Turizmi përballet me sfida të vjetra në prag të sezonit

Dhënia e hapësirave publike në plazhe mbetet ende e paqartë, ndërsa sezoni turistik veror po afron. Kreu I shoqatës së Operatorëve Turistikë Zak Topuzi ngre shqetësimin për vonesat dhe ndryshimet e shpeshta ligjore, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të ndikojë në përgatitjet për sezonin.

Kur na ndan vetëm 1 muaj nga hapja e sezonit turistik veror, operatorët turistikë janë ende të paqartë për caktimin e hapësirave publike ku ata duhet të investojnë për ngritjen e stacioneve të plazhit.

Sipas kreut të Shoqatës së Operatorëve Turistikë Zak Topuzi përgjegjësia për menaxhimin dhe kontrollin e plazheve i është kaluar bashkive, të cilat shpesh nuk kanë kapacitetet por as dhe eksperiencën e nevojshme për të përballuar këtë proces.

Ndërkohë, pavarësisht rritjes së numrit të vizitorëve, sektori i turizmit përballet me sfida të të njëjta si infrastruktura e dobët rrugore, mungesa e transportit publik cilësor dhe ndotja mjedisore, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ofertës turistike.

Një tjetër shqetësim mbetet informaliteti në tregun e akomodimit, ku pjesa më e madhe e kapaciteteve ofrohen përmes apartamenteve me qira jashtë standardeve dhe kontrollit shtetëror.

Topuzi thotë se duhet një  ndërhyrje sa më parë për formalizimin e tregut dhe përmirësimin e këtyre sfidave në mënyrë që Shqipëria të rrisë cilësinë dhe të mbetet konkurruese.