Jet Bank/ Banka e re me bordin e vjetër: si kaloi procesin "fit & proper" një i hetuar për mashtrim (forex)
Bordin e JET Bank e përbëjnë emra nga bota e Forex-it të palicencuar dhe e skemave mashtruese. Oliver Hemmer lidhet me platformën mashtruese 4XFX...
JET Bank mori licencën për të operuar si banka e parë dixhitale në Shqipëri. Por një vështrim mbi bordin e këtij institucioni zbulon emra që ngrenë pyetje. Oliver Hemmer, i lidhur me një platformë mashtruese të hetuar në katër vende evropiane. Rami Solomon, për të cilin nuk ekziston asnjë profil publik. Dhe Gal Bar Dea, një ndërmjetës që solli legjitimitet, por roli i të cilit mbetet i paqartë.
Oliver Hemmer, nga platforma "4XFX" në bordin e bankës shqiptare
Oliver Hemmer është një nga anëtarët e bordit të JET Bank. Sipas të dhënave të disponueshme, ai është me origjinë izraelite. Por ajo që e bën atë të veçantë është një raport i siguruar nga Pamfleti, ku zyrtarë federalë po hetonin një kompani të paregjistruar me seli në Berlin, të quajtur Gal BlockIntl Ltd. Kjo kompani operonte platformën mashtruese "4XFX". Drejtor menaxhues i kësaj kompanie ishte pikërisht Oliver Hemmer, i identifikuar si përfituesi kryesor i skemës.

Raporte për aktivitetin mashtrues të kësaj platforme janë depozituar në Britaninë e Madhe, Spanjë, Estoni dhe Australi. Nuk dihet nëse Hemmer është ndjekur penalisht në ndonjë prej këtyre vendeve, por fakti që emri i tij lidhet me një skemë të tillë ngre pyetje natyrore.
Pyetja që lind: si arriti Oliver Hemmer të kalojë procesin e vlerësimit "fit & proper" të Bankës së Shqipërisë? Ky proces kërkon që administratorët dhe aksionarët e një banke të jenë persona me integritet të patëmetë dhe pa lidhje me veprimtari të paligjshme financiare. Informacioni për lidhjet e Hemmer me 4XFX ishte i aksesueshëm publikisht para licencimit të JET Bank.

Rami Solomon, zyrtari i dikurshëm izraelit në bordin e JET Bank
Rami Solomon është një nga anëtarët e bordit të JET Bank. Për të nuk ka të dhëna publike në lidhje me karrierën bankare apo financiare. Por burime të tjera e lidhin atë me një profesion tjetër: para se të hynte në bordin e bankës shqiptare, Solomon ka shërbyer si zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë së Izraelit.
Ky kalim nga administrata e shëndetësisë izraelite në bordin e një banke dixhitale në Shqipëri është të paktën i pazakontë.
Izraeliti Gal Bar Dea, ndërmjetësi që hapi dyert
Gal Bar Dea ka qenë përfaqësuesi zyrtar i aksionarit në procedurën e licencimit. Ai është ish-drejtor i përgjithshëm i bankës dixhitale izraelite One Zero Digital Bank, e kontrolluar nga Amnon Shashua, bashkëthemelues i Mobileye. Bar Dea la pozicionin në One Zero në mars 2025, pasi planet e zgjerimit ndërkombëtar në Itali u anulluan.
Ai ka qenë personi kyç në kontaktet me qeverinë dhe në procesin e rekrutimit të stafit, duke përfshirë edhe menaxherët e lartë të JET Bank. Prania e tij i jep bankës një shtresë legjitimiteti. Por roli i tij mbetet i paqartë: a është ai investitor, këshilltar, apo thjesht një emër i njohur që shërben për të hapur dyer? Dhe a ka ai njohuri për lidhjet e Hemmer dhe Avishai me skemat e diskutueshme?
Procesi "fit & proper" është projektuar për të garantuar që personat që drejtojnë bankat të jenë të pastër dhe të besueshëm. Megjithatë, rasti i JET Bank tregon se emra me lidhje të dyshimta mund të arrijnë të kalojnë këtë proces.
A është hetuar lidhja e Oliver Hemmer me platformën 4XFX? A është marrë ndonjë informacion nga rregullatorët e huaj për të? Dhe për Rami Solomon, a ka ndonjë dokument që vërteton kualifikimet e tij?
Vijon me: struktura aksionare e bankës: si pesë kompani offshore zotërojnë 28.5 për qind të JET Bank pa u detyruar të zbulojnë pronarët e vërtetë, dhe çfarë do të thotë kjo për transparencën e sistemit bankar shqiptar./Pamfleti