"Në rast kualifikimi në Botëror, shpërblime që nuk ua merr mendja" - Qeveria e Kosovës vendos: Ndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, dërgimin e FSK në Gaza

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për dhënien e pagës së trembëdhjetë për punonjësit e sektorit publik.

Ekzekutivi në mbledhjen e sotme i dha dritën e gjelbër, siç thanë, një zotimi elektoral në zgjedhjet e fundit.

Kryeministri Albin Kurti tha se vendimi është marrë duke ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e përgjegjshëm të buxhetit të shtetit.

“Ky vendim është një shprehje konkrete e mirënjohjes të kontributit të tyre në funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Siç kemi premtuar, po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve kthehet në veprime konkrete. Pagesa e 13-të kontribuon në mirëqenien e familjes së tyre dhe lehtëson barrën financiare. Njëkohësisht, ky hap kontribuon në rritjen e motivimit dhe dinjitetit në shërbimin publik. Vendimi është marrë duke ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e përgjegjshëm të buxhetit të shtetit”, tha ai.

Arsyetimin e vendimit e bëri ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili sqaroi se kush dhe si do të merret paga e trembëdhjetë në sektorin publik.

“Kanë qenë disa raste kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Është rasti i të gjithë atyre personave që kanë dymbëdhjetë muaj të plotë në sektorin publik dhe marrin pagën e 13-të të plotë. Ajo është e barabartë në vlerën e koeficientit e shumëzuar me njësinë e koeficientëve që kanë pozitat përkatëse për personin që është në listën e pagave në muajin mars. Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë. Edhe në këto raste do të merret mesatarja e pagës së marrë në këta 12 muajt e fundit. Njëkohësisht, jemi kujdesur për gratë lehona që janë ose kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12-mujore; muajt e kaluar të pushimit të lehonisë t’u njihen sikurse muaj që kanë punuar me orar të plotë”, theksoi Murati.

Dërgimi i FSK në Gaza

"Në rast kualifikimi në Botëror, shpërblime që nuk

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’i kërkuar Kuvendit dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Kryeministri, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të ekzekutivit tha se dërgimi i personelit ushtarak të Kosovës në Gaza bazohet pas pranimit të ftesës nga SHBA-të si dhe shprehjes së vullnetit politik në kuadër të Bordit të Paqes.

“Dërgimi i personelit tonë ushtarak atje bazohet në koordinime të realizuara pas pranimit të ftesës nga Komanda Qendrore e SHBA-së në tetor të vitit të kaluar, në përputhje me rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shprehjes së vullnetit politik në kuadër të Bordit të Paqes. Të gjitha operacionet e ushtrisë sonë do të zhvillohen në përputhje të plotë me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën humanitare dhe rregullat e tjera të përcaktuara me këtë mision”, tha Kurti.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se përmes këtij angazhimi Kosova dëshmon se është partner i besueshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së civilëve.

“Përmes këtij angazhimi Republika e Kosovës dëshmon se është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së civilëve. Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendos Republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, shtoi ai.

Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm. Përmes kësaj, shefi i qeverisë tha se krijohen politika sociale më efektive dhe të qëndrueshme për familjet në nevojë.

“Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm dhe të menduar thellë drejt ndërtimit të një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm të banimit të përballueshëm në Kosovë. Ai vendos themelet për politika moderne të strehimit duke përcaktuar rregulla të qarta për planifikimin, zbatimin dhe shpërndarjen e programeve të banimit, si dhe kritere të drejta për përfituesit. Për herë të parë krijohet një kornizë e integruar që lidh institucionet qendrore dhe lokale në një qasje të përbashkët. Ky ligj nuk është një hap thjesht teknik, por një hap i shtetit për të garantuar se askush nuk mbetet pa një zgjidhje strehimore”, deklaroi Kurti.

Qeveria po ashtu ndryshoi përbërjen e Këshillit për mbrojtjen e konsumatorit. Ndërkaq emëruan Shpëtim Dobrën si kryesues i Bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Trepça Sh.A”.

KUALIFIKIMI NE BOTEROR

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë shpërblimin prej 500 mijë eurove për Kombëtaren e Kosovës pas suksesit të saj kundër Sllovakisë, triumf ky që dardanët i dërgoi në finalen e playoff-it të Kampionatit Botëror 2026.

Ne mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti theksoi se Kosova arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke ardhur deri në finale, por paralajmëroi edhe shpërblime më të mëdha në rast të kualifikimit në botëror.

“Në Brastisllavë, në kuadër të playoff-it, për Kampionatin Botëror 2026 ku Sllovakia u njohë me futbollistët e rangut botëror nga Kosova përbëjnë një moment dhe sukses historik për vendin tonë. Në fund të nëntorit i ndamë 250 mijë euro me rastin e sigurimit të playoff-it, e po atë ditë u zotuam se do të ndajmë 500 mijë euro të tjera në rast të fitores ndaj Sllovakisë, ky zotim do të jetësohet sot, por dua që kjo të mos mbarjë këtu. Uroj fort që djemtë tanë shembullorë të cilët pata kënaqësinë t’i takojë mbrëmë ta fitojnë finalen e madhet të playoffit dhe ta shkruajnë emrin e tyre në historinë e futbollit të Kosovës si të parët të cilët e jetësojnë ëndrrën e botërorit.

Kualifikimi në Kupën e Botës do ta kuptimsonte shënimin e 10 vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Një fitore nesër po ashtu do të përbënte një arsye për t’u mbledhur sërish ne këtu. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës do të ndajmë edhe një milionë euro të tjera për përfaqësuesen tonë në futboll. Në rast kualifikimi, po zotohemi sot se ne rast se shkojmë tutje dhe kualifikohemi, do të ketë shpërblime që nuk ua merr mendja për sukseset që do të pasojnë në Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Shtete e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Kurti.

Ndarja e këtyre mjeteve u votua me unanimitet nga kabineti qeveritar.

Kurti: Me Macron diskutuam për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse

Kryeministri Albin Kurti tha sot se gjatë takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron kanë diskutuar për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior të Kosovës.

Gjatë drekës së punës, pasditen e së premtes, Kurti tha se për rreth dy orë në Pallatin Elysee kanë diskutuar për temat e integrimit, të sigurisë, mbrojtjes dhe ekonomisë së vendit.

“Pasditen e së premtes isha mysafirë i presidentit të Francës, Emanuel Macron, me një takim dhe drekë pune në Pallatin Elysee. Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë e të sinqertë për rreth dy orë, që u përqendrua në tema të bashkëpunimit dhe të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes si dhe të ekonomisë e të zhvillimit. Me presidentin Macron biseduam për rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Pastaj për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantik dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, deklaroi ai.

Gjatë adresimit të tij para kabinetit qeveritar, Kurti theksoi se angazhimi i miqve francezë në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 është tejet i rëndësishëm.

“Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior të Kosovës ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit tonë i diskutuam me presidentin francez. Organizimi i forumeve të reja të bizneseve Kosovë-Francë si vijimësi e atij që u mbajt suksesshëm muajin e kaluar këtu në Prishtinë si dhe planet dhe investimet në edukim ishin gjithashtu tema të takimit. Roli mbështetës dhe angazhimi i miqve francezë në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në vendin tonë është tejet i rëndësishëm”, shtoi ai.