Ngjarja e Izbicës, një nga kapitujt më të dhimbshëm të luftës në Kosovë
Muzeu Historik Kombëtar kujton sot ngjarjet e 28 marsit 1999 në fshatin Izbicë të Skënderajt, që mbeten një nga kapitujt më të dhimbshëm të luftës në Kosovë, duke shërbyer si një dëshmi e gjallë e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare.
Gjithçka nisi gjatë ofensivës së forcave ushtarake dhe policore serbe, menjëherë pas fillimit të ndërhyrjes së NATO-s, kur mijëra civilë të zhvendosur u grumbulluan në këtë fshat të Skënderajt me shpresën për të gjetur strehim dhe siguri.
Kjo shpresë u shndërrua në tragjedi më 28 mars, kur forcat serbe rrethuan civilët e pafajshëm. Operacioni përfundoi me ekzekutimin e 114 personave. Dhuna nuk u ndal me aq, pasi në muajin maj, në lagjen Xhemajlaj, u vranë edhe 12 banorë të tjerë, duke e bërë bilancin njerëzor edhe më të rëndë.
Për historinë shqiptare, rëndësia e Izbicës qëndron te përmasat e masakrës, por edhe te përpjekja sistematike për të fshehur krimin.
Strategjia e organizuar për zhdukjen e provave u bë e qartë përmes zhvarrimeve dhe zhvendosjes së trupave drejt varrezave masive në Serbi, siç ishte rasti i njohur i Batajnicë.
Batajnica, e ndodhur në periferi të Beograd, u shndërrua në simbolin e kësaj strategjie. Ajo ishte një qendër stërvitore e Njësisë së Operacioneve Speciale të policisë serbe, ku u zbuluan disa varreza masive.
Ndër trupat e identifikuar në Batajnicë, u konfirmuan edhe mbetjet e shumë personave që ishin ekzekutuar gjatë masakrës së Izbicës më 28 mars 1999.
Sot, emrat e 147 viktimave janë të përjetësuar në kompleksin memorial të fshatit, i cili shërben si një arkiv i hapur i historisë.
Ai qëndron aty si një thirrje e vazhdueshme për të ruajtur të vërtetën dhe si një dëshmi e sakrificave të të popullsisë civile të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

