Neza: PS po rikthen mekanizmin e vjetër elektoral, ndërsa PD duhet të hapet për të fituar ‘zonën gri’

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e Ora News, analisti Sami Neza foli për zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet e forcave kryesore politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Sipas Nezës, Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë paralajmëruar atë që e quajnë një “fazë të re komunikimi me qytetarët”, por në thelb kjo nuk përbën një risi politike.

Ai theksoi se kjo lëvizje është një ripërsëritje e një mekanizmi elektoral të përdorur nga PS që prej vitit 2016, i cili synon forcimin e kapaciteteve propagandistike dhe zgjerimin e mbështetjes përtej elektoratit tradicional të majtë.

Analisti u ndal edhe te emërimi i ministrave pa përvojë të gjatë politike apo zgjedhore në drejtimin e qarqeve si Shkodra dhe Lezha, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë se Partia Socialiste synon të përdorë strukturat qeveritare si mekanizma elektoralë.

"Ky bashkim i rolit të shtetit me atë të partisë është evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR si një nga problematikat kryesore të proceseve zgjedhore në Shqipëri."

Nga ana tjetër, Neza analizoi edhe situatën brenda Partisë Demokratike, e cila aktualisht ndodhet në një proces zgjedhjesh të brendshme dhe ristrukturimi të thellë të degëve dhe forumeve qendrore.

Ai theksoi se, megjithëse denoncimet ndaj qeverisë kanë qenë të vazhdueshme, kjo nuk mjafton për të siguruar fitore elektorale.

Sipas tij, sfida kryesore për opozitën mbetet hapja ndaj qytetarëve dhe ndërtimi i një komunikimi të besueshëm me të ashtuquajturën “zonë gri” të elektoratit, një kategori votuesish që shpesh përcakton rezultatin final të zgjedhjeve. Neza nënvizoi se suksesi i Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme do të varet kryesisht nga performanca dhe vullneti i vetë strukturave të saj, dhe jo vetëm nga kritikat ndaj qeverisë.

Ndiqni intervistën e plotë: