Kur fyerja dhe kanosja quhen reagim emocional procedural
Në një shtet të së drejtës, ka disa pritshmëri minimale për mënyrën si sillet një funksionar publik i nivelit të lartë, sidomos kur ai përballet me drejtësinë. Por duket se në disa raste, këto pritshmëri zëvendësohen me një standard të ri: “emocioni procedural”.
Rasti i Erion Veliajt është një ilustrim interesant i këtij standardi në zhvillim. Fillimisht, megjithëse në mënyrë abuzive, ai kërkon të disponojë fizikisht aktet e dosjes në paraburgim.
Gjykata, në përmbushje të kësaj kërkese, vendos që aktet t’i dërgohen nëpërmjet hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Deri këtu, gjithçka në rregull, një procedurë model.
Por më pas fillon pjesa “emocionale” e procedurës.
Sipas procesverbalit të lexuar në seancë gjyqësore, në momentin që hetuesit paraqiten për të zbatuar vendimin e gjykatës, ata nuk priten thjesht si funksionarë që kryejnë detyrën, por si objekt i një performance verbale me nota të forta… artistike.
Fyerje, tone intimiduese, në fakt kanosëse (i drejtohet hetuesit me “nuk ta fal”) dhe një retorikë që zor se do ta gjeje në ndonjë manual të etikës publike.
Por mos u nxitoni të gjykoni, sepse, sipas mbrojtjes, kjo nuk është sjellje problematike. Jo. Është thjesht… emocionale.
Në këtë pikë lind një pyetje e thjeshtë: a kemi hyrë në një fazë të re të së drejtës, ku krahas provave materiale dhe procedurave ligjore, futet edhe kategoria e “shpërthimeve emocionale të justifikuara”? Nëse po, atëherë ndoshta duhet rishkruar edhe literatura juridike: nga “shteti i së drejtës” te “shteti i ndjenjës”.
Sepse në fund të fundit, çfarë janë disa fyerje ndaj hetuesve? Një reagim njerëzor. Çfarë është intimidimi dhe kanosja e funksionarëve të drejtësisë? Një formë komunikimi nën presion. Dhe çfarë është një gjuhë denigruese? Një stil shprehjeje që pasqyron… intensitetin e situatës.
Ndërkohë, në një plan më tokësor, një funksionar publik i nivelit të lartë, i cili edhe sot përfaqëson institucionin e bashkisë më të madhe në vend, pritet të demonstrojë vetëkontroll, respekt dhe dinjitet, edhe në kushte të vështira. Por kjo është ndoshta një pritshmëri paksa e vjetëruar. Sot, duket se standardi është më fleksibël: sa më i lartë funksioni, aq më i kuptueshëm bëhet “emocioni”.
Për ta plotësuar panoramën, kemi edhe kërkesën e fundit procedurale, si ajo për inventarizimin e dosjes. Në një lexim klasik, kjo mund të shihej si një përpjekje për zvarritje të procesit. Por në këtë kuadër të ri interpretimi, ndoshta është thjesht një tjetër manifestim i të njëjtit emocion, këtë herë i shprehur në formë kërkese juridike.
Në fund, mbetet një reflektim: nëse kjo është mënyra se si një funksionar i lartë sillet ndaj përfaqësuesve të drejtësisë kur është nën masë sigurie, është legjitime të pyesësh, jo me emocion, por me logjikë, se si do të ishte sjellja e tij në kushte të ndryshme.
Por ndoshta edhe kjo pyetje është… "emocionale"./ CNA, Elvi FUNDO

