Një urim ndryshe në datën e lindjes: YLLI NDROQI PËRTEJ ORËS…
Prej shumë vitesh Ora News, një nga televizionet e shumtë në kuptimin e një enti mediatik, por që në fakt mes shumësisë së tyre përveçohet për standardin e lirisë në ushtrimin e profesionit, është bërë ekrani më i dashur i atyre qe e ndjekin ende televizionin, sepse në të gjejnë paanësinë në gjithë shërbimin që i bëhet lajmit a ngjarjes në përcjelljen për shikuesin.
Tek Ora News nuk ka ndarje në emra të preferuar apo të dashur që duhen ftuar në ekran, apo në të tjerë që nuk lejohen.
Nuk ka ngjarje që duhen dhënë e ca të tjera që nuk duhen dhënë.
Aty çdo gjë vlerësohet vetëm në raport me të vërtetën dhe interesin publik. Dhe padyshim, edhe me cilësinë e shërbimit me profesionalizëm e pa cënuar asnjë grimë e për askënd etikën dhe shenjtërinë e ekranit.
Për të gjitha këto, meritën kryesore e ka Ylli Ndroqi.
Ai e ideoi dhe e bëri televizionin Ora News emrin e dashur që është sot, ekranin e pëlqyer dhe të dashur të shikuesve.
Por, përtej Orës, Ylli Ndroqi përfaqëson njeriun e gjendur e mikun e veçantë, shokun pa asnjë cak e kufi kur është fjala për të kuptuar, ndihmuar e mbështetur cilindo që ka guximin të sfidojë veten për t’u bërë jo vetëm një gazetar apo punonjës në televizion, por mbi të gjitha, i vetëdijshëm për bashkësinë e vlerave që duhen mbrojtur dhe përfaqësuar.
Kjo nuk është pak. Aq më tepër, nëse dimë apo kuptojmë se sa vështirë është të ruash balancat në një mjedis agresiv e jo rrallë armiqësor në të cilin Ylli Ndroqi dhe Ora e tij janë gjendur.
Për të gjitha këto, unë zgjodha që urimin në datën e lindjes Yllit të Orës t’ia bëj ndryshe dhe publikisht, edhe në shenjë mirënjohjeje për gjithçka ka krijuar dhe që përmblidhet në emrin: RADIOTELEVIZIONI ORA NEWS.

