7 Marsi: Nuk Mjaftojnë Dymbëdhjetë
Nga Prof. Mimoza Manxhari, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës
Për pothuajse katërmbëdhjetë dekada, në 7 Mars ne festojmë Ditën e Mësuesit. Lule, fjalime, mirënjohje publike. Figura e mësuesit ngrihet në piedestal si formues i kombit, si udhërrëfyes i brezave, si ndërgjegje e shoqërisë.
Pikërisht në këtë ditë guxoj të pyes:
- A është 7 Marsi thjesht një ritual, apo një moment për të reflektuar mbi përgjegjësinë reale të mësuesit?
Ishte një reflektim i para disa ditëve nga prof. Aurel Plasari që më shtyu të lexoj librin e Giorgio Boatti: “Preferirei di no. Le storie dei dodici professori che si opposero a Mussolini”.
Në Italinë e 1931 vetëm 12 nga rreth 1.250 profesorë refuzuan të betoheshin për besnikëri ndaj regjimit, duke pranuar të humbnin gjithçka.
Dhe ndërsa lexoja mbi fatet e shumë intelektualëve të asaj kohe, më tërhoqi vëmendjen numri 12.
Jo sepse historia kishte nevojë për simbolikë, por sepse ndonjëherë realiteti vetë krijon simbolikën e tij.
12 është një numër që njerëzimi shpesh e ka përdorur për të përfaqësuar një tërësi morale dhe shpirtërore: dymbëdhjetë apostuj, dymbëdhjetë muaj që mbyllin ciklin e vitit, etj.
Por këta 12, nuk ishin thjesht një simbol. Ishin 12 njerëz, 12 mendje, 12 ndërgjegje që mbrojtën integritetin profesional në një moment historik kritik.
Megjithatë, dymbëdhjetë nuk e ndalën degradimin.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron pesha e këtij numri: ai na kujton se guximi i pakicës është i mjaftueshëm për të hyrë në histori, por jo gjithmonë për të ndryshuar rrjedhën e saj. Në shoqêri, problemi nuk është mungesa e heronjve. Shoqëritë nuk dështojnë sepse mungojnë individët e guximshëm. Shoqëritë dështojnë kur shumica zgjedh përshtatjen.
Institucionet nuk rrënohen me shpallje dramatike. Ato dobësohen kur:
* heshtja bëhet normë,
* konformizmi quhet maturi,
* mediokriteti quhet stabilitet,
* padrejtësia relativizohet si “realitet” e kështu, pak e nga pak, askush nuk mban mend momentin kur u kapërcye kufiri.
Kjo më çoi në pyetjen që vazhdon të na ndjekë si shoqëri:
- Sa breza të tjerë duhet të kalojnë që një shoqëri të bëhet mjaftueshëm e fortë për të respektuar vetveten?
Sepse respekti për veten nuk fillon me retorikë patriotike. Ai fillon me guximin për të njohur të vërtetën, për të nderuar mendimin e lirë dhe për të mos u trembur nga kujtesa.
Tê flasim për ushtri mësuesish apo për një turmë të diplomuarish?
Sepse flasim shpesh për “ushtrinë e mësuesve” si forcë që formon kombin. Por nëse një ushtri nuk ka integritet është vetëm masë numerike.
Një trupë pa ndërgjegje është vetëm statistikë.
Nëse mësuesi nuk mbron standardin, nuk mbron meritën, nuk mbron të vërtetën edhe kur kjo ka kosto, atëherë ai nuk po formon karakter, por po riprodhon frikë.
Dhe frika nuk edukon. Ajo bind.
Nëse 7 Marsi mbetet vetëm ceremoni, atëherë ceremoniali bëhet hipokrizi kolektive.
Nuk mund të festohet misioni i mësuesit dhe njëkohësisht të tolerojmë:
* uljen e standardeve,
* kompromisin moral,
* heshtjen përballë padrejtësisë,
* pranimin e mediokritetit si normë.
Integriteti nuk është luks, as dinjiteti romantizëm e aq më pak pavarësia thjesht retorikë. Ato janë kushte për ekzistencën e profesionit.
Historia e dymbëdhjetë profesorëve na sfidon të pyesim:
- Pse gjithmonë mendojmë se mjafton të jenë vetëm dymbëdhjetë?
Nëse “ushtria” e mësuesve nuk është e gatshme të mbrojë integritetin kolektivisht, atëherë disa zëra të fortë mbeten simbolikë dhe sistemi vazhdon i pandryshuar.
E në këtë realitet, ndoshta urimi më i ndershëm nuk është “Gëzuar festën”. Ndoshta urimi duhet të jetë:
U bëfshim të fortë mjaftueshëm për të respektuar veten.
Sepse pa vetë-respekt nuk ka autoritet moral. Pa autoritet moral nuk ka edukim të vërtetë. Pa edukim të vërtetë nuk ka shoqëri të lirë.
Dymbëdhjetë janë të mjaftueshëm për të hyrë në histori. Por një komb nuk ndërtohet nga dymbëdhjetë. Ai ndërtohet nga ndërgjegjja e shumicës.
Ndaj kuptimi i vërtetë i 7 Marsit nuk qëndron vetëm te ceremonia.
Ai matet me përgjegjësinë e mësuesit për të formuar mendje të lira, duke u mësuar brezave artin e të menduarit dhe artin e të jetuarit. Jo thjesht bindjen.
Dhe nëse kjo përgjegjësi dobësohet, çdo festë mbetet vetëm një ritual pa shpirt.
Ky është misioni më i madh i arsimit.
Sepse një komb i fortë nuk ndërtohet me datat në kalendar, por me mendjet dhe zemrat që guxojnë të mendojnë dhe të veprojnë çdo ditë.

