Kriza e naftës jep efektet e para/ Çoçoli: Rrezik real për rritje çmimesh në vend
Bllokimi i ngushticës strategjike të Hormuzit dhe tensionet ndërkombëtare po japin efektet e para në ekonominë globale, ndërsa Shqipëria nuk bën përjashtim.
Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli, i ftuar në emisionin “Drejt”, paralajmëroi se vendi ynë tashmë ka pësuar humbje financiare që arrijnë në disa milionë euro, ndërsa rreziku që kjo shifër të rritet mbetet i lartë.
Sipas tij, konflikti që ka çuar në bllokimin e kësaj rruge jetike detare lidhet drejtpërdrejt me tregjet e karburanteve, pasi nga ngushtica e Hormuzit kalonte rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë.
Kjo situatë ka krijuar një efekt zinxhir në çmimet e energjisë, duke ndikuar edhe në ekonomitë e vendeve që varen nga importet, si Shqipëria.
"Megjithëse ndikimi i parë është ndjerë kryesisht në tregun e karburanteve, ekziston rreziku real që pasojat të shtrihen edhe në sektorë të tjerë jetikë të ekonomisë."
Ai nënvizoi se për momentin çmimet e ushqimeve nuk kanë pësuar rritje të drejtpërdrejtë, por paralajmëroi se një skenar i tillë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.
“Humbja që kemi tani është në nivele të disa milionë eurove. Urojmë që të mbetet në disa dhjetëra milionë euro dhe jo më shumë, sepse nëse përballemi me inflacion të importuar nga vendet e Eurozonës, pasojat mund të jenë shumë më të rënda,” u shpreh ai.
Eksperti kujtoi se përpara bllokimit, nga ngushtica e Hormuzit kalonin rreth 11 milionë fuçi naftë në ditë. Edhe pse pjesa më e madhe e kësaj sasie, rreth 80%, ishte e destinuar për tregjet aziatike, rreth 20% furnizonte vendet e Eurozonës.
Sipas tij, çdo rritje e çmimeve të energjisë në Eurozonë reflektohet pothuajse automatikisht edhe në ekonominë shqiptare, duke e bërë situatën aktuale një shqetësim serioz për stabilitetin ekonomik të vendit.
Në këtë kontekst, ekonomistët mbeten të shqetësuar për zhvillimet e mëtejshme në tregjet ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në koston e jetesës për qytetarët shqiptarë, sidomos nëse kriza do të zgjasë dhe çmimet e energjisë do të vijojnë të rriten.
Ndiqni emisionin e plotë:
