Topuzi: Mungesa e akomodimit dhe organizimit, Shqipëria me të ardhura më të ulëta se rajoni
Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, me të ftuar në studio Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.
Duke folur për problematikat e sektorit në prag të sezonit turistik, Topuzi u shpreh se Shqipëria mbetet kryesisht një destinacion me turizëm rajonal dhe të paorganizuar, i bazuar më shumë në iniciativa individuale sesa në struktura të mirëfillta turistike.
Sipas tij, vetëm rreth 15% e turistëve që vijnë në Shqipëri janë të lidhur me kontrata, çka tregon mungesën e paketave të organizuara dhe të standardeve që do të garantonin pushime më cilësore dhe më shumë të ardhura për vendin.
Topuzi theksoi se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e hoteleve dhe resorteve me standard të lartë. Ai nënvizoi se vetëm rreth 1% e strukturave akomoduese në Shqipëri janë hotele apo resorte me 5 yje, ndërkohë që vende si Mali i Zi dhe Kroacia kanë 7-10% të këtij niveli.
Sipas tij, kjo diferencë ndikon drejtpërdrejt në të ardhurat, pasi turistët në Shqipëri shpesh marrin shërbime të pjesshme dhe jo paketa të plota, duke sjellë të ardhura shumë më të ulëta krahasuar me rajonin.
Topuzi solli edhe shembullin e Kosovës, e cila, ndonëse nuk ka dalje në det, gjeneron rreth 2.5 herë më shumë të ardhura për turist sesa Shqipëria.
Ai theksoi se qasja duhet të ndryshojë nga fokusimi te shifrat e vizitorëve drejt rritjes së cilësisë dhe vlerës së turizmit, pasi potenciali real i të ardhurave mund të jetë shumë më i lartë.
Sipas tij, nëse sektori organizohet dhe zhvillohet me standarde më të larta, Shqipëria mund të dyfishojë të ardhurat nga turizmi, duke kaluar nga rreth 5 miliardë euro në nivele shumë më të larta.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ALERT":

