INVESTIGIM/ Kompania e mbyllur prej 5 vitesh eksporton drejt Kosovës. Dogana shqiptare “mbyll sytë”

Pas bllokimit të 1,080 litrave vaj për sallatë nga autoritetet doganore të Kosovës, televizioni “Ora News” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë.

Ky institucion na ka informuar se produkti i bllokuar ishte me origjinë nga Shqipëria dhe ishte deklaruar si vaj i përzier, përkatësisht:

* 70% vaj luledielli me origjinë nga Ukraina

* 30% vaj ulliri me origjinë nga Republika e Shqipërisë

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë bërë me dije se produkti i kompanisë “Euro Made 2021” nga Lushnja nuk përmbante të dhënat e duhura në deklarimin e mallit.

Ndalimi i këtij produkti në Kosovë ka zbuluar një skandal në Shqipëri. Nga një investigim i “Ora News” rezulton se kompania importuese “Euro Made 2021” ka rreth 5 vite që e ka pezulluar aktivitetin.

Në ekstraktin historik në QKB rezulton se ky subjekt, me administratore znj. Ina Mukaj, është regjistruar më 06/10/2021 dhe vetëm një muaj më pas e ka pezulluar aktivitetin, konkretisht më 24/11/2021.

Ky biznes, që ka si objekt aktiviteti import-eksportin e artikujve ushqimorë, rezulton i pezulluar prej 5 vitesh, ndërkohë që vijon të eksportojë produkte ushqimore jashtë Shqipërisë.

Dogana shqiptare ka “mbyllur sytë”, duke lejuar eksportimin e një produkti nga një biznes që nuk ka NIPT aktiv, pasi rezulton i pezulluar që në vitin 2021.

Pikërisht këtu ngrihet pyetja më shqetësuese: çfarë garancie ka konsumatori për sigurinë e një produkti, kur nuk dihet në çfarë kushtesh është prodhuar, përpunuar apo ambalazhuar?

Kur një subjekt i pezulluar prej vitesh arrin të eksportojë ushqime pa u ndalur nga institucionet përgjegjëse, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me shkelje administrative, por me një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

Pas publikimit të këtyre fakteve, autoritetet e sigurisë ushqimore në vend duhet të kryejnë kontrolle në tregun vendas për të verifikuar nëse vaji i bllokuar në Kosovë tregtohet ose jo në supermarketet tona.