"Deri tani nuk shoh qeveri, shoh vetëm krizë"/ Bozdo për uljen e akcizës: Bordi i Transparencës s'po i kontrollon çmimet

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, në një lidhje direkte për Ora News për situatën e rritjes së çmimeve në vend dhe mungesën e veprimeve konkrete nga qeveria.

Bozdo theksoi se deri tani nuk është zhvilluar asnjë mbledhje qeveritare për të trajtuar krizën dhe nuk ekzistojnë skenarë alternativë për situata emergjente.

Ai tha se masat e ndërmarra deri tani nuk janë të mjaftueshme dhe situata po thellohet.

"Deri tani nuk shoh qeveri, nuk shoh menaxhim, shoh vetëm krizë. Nuk ka skenarë A, B apo C, nuk ka masa konkrete, dhe kjo duhet të ndryshojë urgjentisht."-tha ai.

Bozdo u shpreh se për të kontrolluar çmimet nuk mjafton vetëm ndërhyrja tek akciza, por duhen marrë parasysh edhe taksat e qarkullimit, mekanizmat për pezullimin e TVSH-së dhe masa të tjera që mund të stabilizojnë tregun e karburanteve dhe ushqimeve bazë.

Ai kritikon gjithashtu Bordit e Transparencës, duke e cilësuar si një instrument formal që nuk ofron zgjidhje reale.

"Bordi i Transparencës është për të thënë publikut se po bëhet diçka, por në fakt nuk kontrollon çmimet. Nuk është mekanizmi që duhet për të mbajtur situatën nën kontroll."-shtoi Bozdo.

Deputeti kërkoi përgjigje më energjike dhe veprime konkrete nga qeveria, duke theksuar se propozimet e opozitës duhet të studiohen me hollësi dhe të zbatohen për të shmangur rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Ndiqni intervistën e plotë: