Xhemani Baba: Shqipëria destinacion tranzit, sfidë mbetet rritja e konsumit turistik

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, me të ftuar në studio Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi, si dhe Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Duke analizuar sfidat e sektorit në prag të sezonit turistik, Xhemani Baba theksoi se shifrat zyrtare për turizmin në Shqipëri nuk reflektojnë plotësisht realitetin në terren.

Sipas saj, ndonëse raportohen rreth 11-12 milionë vizitorë dhe të ardhura që arrijnë në 4.8 miliardë euro, një pjesë e konsiderueshme e këtyre lëvizjeve nuk përfaqësojnë turistë të mirëfilltë që konsumojnë në vend.

“Një pjesë e madhe janë tranzit, që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria pa gjeneruar konsum real, përveç shpenzimeve minimale si në aeroport apo një kafe,” u shpreh ajo.

Ekspertja nënvizoi se kjo tregon një nivel të ulët të paketës turistike në Shqipëri, madje edhe krahasuar me vende si Kosova, e cila ndonëse nuk ka det, rezulton me shpenzim më të lartë për vizitor.

Sipas Xhemani Babës, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e statistikave të detajuara dhe analizave të sakta për të kuptuar se çfarë gjeneron realisht turizmi në ekonomi.

Ajo theksoi se, pavarësisht shifrave pozitive në dukje, sektori ka nevojë për një qasje më të thelluar analitike dhe politika më efikase për të rritur vlerën reale të turizmit në vend.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ALERT":