Shuhet një nga figurat më të njohura të politikës italiane, Umberto Rossi ndërron jetë në moshën 84-vjeçare
Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Umberto Bossi, një nga figurat më të njohura të politikës italiane dhe themelues i Lega Nord.
Bossi ka pasur një karrierë të gjatë politike, si ministër, senator, deputet dhe eurodeputet. Ai u zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 1987, ndërsa hyri në qeveri në vitin 2001 si ministër për reformat institucionale në kabinetin e Silvio Berlusconi.
Për shumë vite drejtoi Lega-n si sekretar federal, deri në vitin 2012, për t’u shpallur më pas president i përjetshëm i saj.
Rruga e tij politike nisi në fund të viteve ’70, kur u përfshi në lëvizjet autonomiste në veri të Italisë. Në vitin 1984 themeloi Lega Autonomista Lombarda, që më pas u shndërrua në Lega Lombarda dhe më vonë në projektin më të madh politik të Lega Nord.
Në Shqipëri, emri i familjes Bossi u përmend vite më parë për shkak të djalit të tij, Renzo Bossi, i cili rezultonte i diplomuar në Universiteti Kristal, një institucion që më vonë u mbyll pas dyshimeve për diploma fiktive.
Pas ndarjes nga jeta, reagimet në Itali kanë qenë të shumta. Figura të politikës kanë vlerësuar rolin e tij në historinë politike të vendit, duke e cilësuar si një personazh që la gjurmë në debatet dhe zhvillimet e dekadave të fundit.

