Raporti i inteligjencës amerikane: Ballkani në rrezik, ndikimi rus në rritje
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë publikuar raportin vjetor për kërcënimet globale për vitin 2026, ku Ballkani Perëndimor paraqitet si një zonë me tensione të vazhdueshme dhe ndikime të forta nga jashtë.
Në dokument thuhet se lufta në Ukrainë ka thelluar ndarjet mes Perëndimit dhe Rusisë, ndikim që ndihet edhe në rajon. Sipas raportit, Moska vazhdon të ushqejë paqëndrueshmëri, sidomos në raportet mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku mbështet tendenca për ndarje të Republikës Sërpska.
Raporti vlerëson se ndarjet etnike dhe politike në Ballkan mbeten të forta dhe, së bashku me ndikimin e aktorëve të huaj, krijojnë rrezik për sigurinë. Rajoni përshkruhet si një hapësirë ku përplasen interesat e fuqive të mëdha dhe ku konfliktet e pazgjidhura vazhdojnë të jenë burim tensioni.
Dokumenti paralajmëron edhe për kërcënime më të gjera në Evropë, si dezinformimi, ndërhyrjet politike dhe sulmet kibernetike. Në nivel global, përmenden rivaliteti mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, si dhe rreziqet nga terrorizmi, krimi i organizuar dhe përhapja e armëve të rrezikshme.
Sipas raportit, edhe pse organizatat e mëdha terroriste janë dobësuar, mbetet rreziku nga sulme të vogla, të kryera nga individë apo grupe të frymëzuara nga ideologji ekstremiste.

