Italia 'frenon' karburantin/ Çmimi bie menjëherë 25 centë për litër!

Qeveria italiane ka miratuar një dekret për të ulur çmimin e karburantit si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas vendimit, çmimi për litër do të ulet menjëherë me rreth 25 centë.

Masa përfshin edhe mbështetje për sektorët më të prekur, si transporti rrugor dhe peshkimi, përmes lehtësirave tatimore.

Po ashtu, qeveria ka vendosur kontrolle të rrepta në treg për të parandaluar spekulimet dhe abuzimet me çmimet.

Dekreti do të jetë në fuqi për 20 ditë, derisa të shihet situata në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ndikimi i luftës në Iran.

Ministri i Transportit, Matteo Salvini, shprehet se synimi është ulja e çmimit të karburantit nën 1.90 euro për litër, duke bashkëpunuar me kompanitë kryesore të sektorit.

Ndërsa opozita e kritikon masën si të përkohshme dhe me prapavijë elektorale, duke kërkuar zgjidhje më të qëndrueshme afatgjatë.