Nga programi bërthamor te rrëzimi i regjimit, Domi: Tre objektivat e operacionit kundër Iranit
I ftuar në studion e Ora News ishte eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ruel Domi, i cili analizoi strategjinë që sipas tij, qëndron pas një operacioni të mundshëm ushtarak kundër Iranit dhe zhvillimet gjeopolitike që lidhen me të.
"Ky operacion duket se mbështetet në tre objektiva kryesorë strategjikë: neutralizimin e programit bërthamor të Iranit, eliminimin e kërcënimit nga raketat balistike dhe mundësinë e një ndryshimi të regjimit në Teheran."
Ai shpjegoi se objektivi i parë lidhet me frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit. Sipas tij, kjo strategji ka nisur të zbatohet përmes operacionit të koduar “Midnight Hammer”, gjatë të cilit avionë bombardues B-2 goditën disa prej centraleve kryesore të pasurimit të uraniumit në Iran.
Megjithatë, eksperti theksoi se rreziku nuk është zhdukur plotësisht. Sipas tij, Irani disponon edhe objekte të tjera dhe ka shprehur qartë synimin për të rifilluar programin bërthamor. Ai shtoi se aftësia e Teheranit për të pasuruar uranium dhe për ta përdorur atë në testata bërthamore është “degraduar ndjeshëm”, por mbetet ende një shqetësim për komunitetin ndërkombëtar.
"Një nga arsyet pse administrata amerikane e Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin ishte pikërisht dyshimi se, pavarësisht angazhimeve formale, programi i pasurimit të uraniumit mund të shërbente edhe për qëllime ushtarake.
Objektivi i dytë i strategjisë lidhet me arsenalin raketor të Iranit. Sipas ekspertit, partnerët ndërkombëtarë të SHBA-së dhe Izraelit kanë ngritur shqetësime për zhvillimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, të cilat teorikisht mund të arrijnë edhe objektiva në Evropë."
Një zhvillim i tillë, sipas Domit, mund të nxisë një garë armatimi në rajon. Ai përmendi deklaratën e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i cili ka paralajmëruar se nëse Irani siguron armë bërthamore, edhe vendi i tij do të ndjekë të njëjtën rrugë.
Objektivi i tretë dhe më i paqartë mbetet ai i mundësisë për ndryshim regjimi në Iran. Domi theksoi se nuk duket se po ndiqet modeli i ndërhyrjeve ushtarake të drejtpërdrejta si në Afganistan në vitin 2001 apo në Irak në vitin 2003.
Sipas tij, më shumë po shihet një qasje që synon ndryshime nga brenda sistemit, duke marrë si shembull rastin e Venezuelës, ku – edhe pse u vu në shënjestër lideri i regjimit – pushteti nuk kaloi te opozita, por te një figurë tjetër brenda vetë strukturës qeverisëse.
Eksperti theksoi se një skenar i tillë mund të synojë të shmangë kolapsin e shtetit, duke favorizuar një tranzicion të kontrolluar përmes bashkëpunimit me elementë të caktuar të regjimit aktual.
Ndiqni intervistën e plotë:
