Noka: Sadushi do mbledhë shumë shpejt kolegjin për të hapur rrugë bllokimit të drejtësisë
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ndryshe nga herët e tjera, nuk ka qenë prezent në foltoren e organizuar këtë të hënë para Kryeministrisë.
Berisha, i cili ka qenë folësi kryesor prej nisjes së serive të foltoreve ka munguar për shkak të pjesëmarrjes në një iftar në qytetin e Kavajës.
Në vend të tij, folësi i fundit i foltores ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, ndërsa prezentë ishin edhe nënkryetarët e PD, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj mes figurash të tjera të opozitës.
Duke folur në ‘Foltoren’ përpara kryeministrisë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, akuzoi Edi Rama për korrupsion dhe përpjekje për të bllokuar drejtësinë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me opozitën në protestën e 22 marsit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve dhe mbështetësve të opozitës, Noka deklaroi se korrupsioni në qeveri, sipas tij, ka përgjegjës direkt kryeministrin Rama dhe se opozita do të vazhdojë betejën politike kundër asaj që ai e cilësoi si “narko-regjim”. Ai theksoi gjithashtu se protesta e 22 marsit duhet të jetë një mobilizim i madh qytetar dhe një moment simbolik për ndryshimin politik në vend.
Fjala e Flamur Nokës:
Të nderuar zonja e zotërinj, qëndrestarë, protestues, njerëz të kauzave të mëdha.
Kur ne vendosëm të instalojmë këtë foltore këtu, shumë të tjerë në kampin e Rilindjes dhe jo vetëm, na përqeshën. Më vonë, kur ne vendosëm të jemi të përjavshëm, filluan të na shajnë. E kujtoni besoj të gjithë. Filluan të na shajnë, sekti satanist i Rilindjes.
Edhe banakët televizivë, edhe banalitetet, analistët e tyre. Filluan të shajnë. Ja shikoni, nuk kanë njerëz. Ja e shikoni, Sali Berishës dhe opozitës nuk i shkon njeri.
Asnjëherë, për asnjë moment, nuk u përqendruan tek hallet e qytetarëve që shiko, kjo qeveri çfarë po bën? Po vjedh, po rrënon, kriminalizon dhe nuk po punon kurrë për shqiptarët. Jo, nuk i zinte goja dot këto terma askujt prej atyre që janë mercenarë mediatikë.
Kur ne vendosëm pastaj të zbresim në shesh të gjithë, të zbresim në bulevard dhe të organizojmë protestat nga më madhështoret për të çrrënjosur narko-regjimin, filluan pastaj të na sulmojnë pa fund. Këta janë të egër. Këta bëjnë dhunë.
Çdo gjë, nuk lanë gjë pa thënë. Pse?
Asnjëri prej tyre nuk shqetësohet për demokracinë apo për mbarëvajtjen, zhvillimin e këtij vendi. Jo! Kishin vetëm një çështje: të mbrojnë narkosin. Të mbrojnë narkosin dhe t’i turren çdokujt që ka një synim të delegjitimojë dhe ta rrëzojë atë.
Ky është një mesazh i qartë. Dhe ne, ne vazhduam. Ne vazhduam sepse në palcën tonë ka qenë dhe është qëndresa. Në shpirtin tonë ka qenë dhe është përballja, ndaj gjithmonë ia kemi dalë.
Ndaj ia dolëm edhe kur u shpall non-grata politikisht nga George Soros, Sali Berisha. Ndaj ia dolëm kur bashkuam Partinë Demokratike dhe e bëmë më të fuqishme dhe sot, ia kemi dalë se jemi e vetmja forcë, së bashku me aleatët tanë, alternativë për pushtetin, e vetmja forcë ku shqiptarët shohin zgjidhje dhe shohin shpresë. Këto jemi ne.
Por, pas kaq protestash, ata panë që e pambrojtshmja nuk mbrohet. Dhe beteja jonë pati rezultat. Kur ne nisëm këtë betejë, askush s’besonte nga të majtët, as nga socialistët, as nga ata që quhen shtresë gri, që Rilindja është një gjiriz. Jo, tek-tuk artikulonin: vjedhin, kanë lidhje me krimin, por jo siç janë në të vërtetë. Nuk i pranonte askush.
U desh beteja jonë në parlament dhe këtu në bulevard prej katër muajsh për të zbardhur dhe për t’i nxjerrë të palarat këtij narko-regjimi.
Sot, çdo qytetar i këtij vendi, edhe socialistët e thjeshtë e pranojnë një gjë: që kjo paska qenë ngrehinë kriminale dhe jo qeveri.
Sot, çdo qytetar i këtij vendi, edhe socialistët e thjeshtë, pranojnë se anijes së tyre i ka hyrë uji dhe ajo tashmë nuk lundron dot më, por ka vetëm një destinacion: të mbytet dhe të përfundojë në fund të oqeanit.
E gjitha kjo është falë betejës tonë. E gjitha kjo është falë qëndresës sonë.
Sot, kudo që të shkosh, në çdo pallat, në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo fshat, do takosh qytetarë të cilët do të thonë: nuk e dinim. Korrupsioni paska qenë tmerr te këta. Sot janë të bindur. Po, është beteja jonë.
Sot edhe ndërkombëtarët, falë betejave, falë qëndresës, falë këmbënguljes tonë, janë të qartë se ky nuk përfaqëson shqiptarët. Ky përfaqëson interesat më të errëta të klaneve mafioze dhe të karteleve të drogës dhe kurrsesi të qytetarëve të këtij vendi.
Pra, beteja jonë katërmujore ka dhënë efekte. Ata ndihen të tronditur. Por më i trondituri nga të gjithë është vetë kreu i narkos, Edi Rama.
Kreu i narkos e di më mirë se ju këtu, madje edhe më mirë se ne që jemi në parlament, e di më mirë se kushdo se çfarë po i afrohet. E di se çfarë fundi e pret.
Ai bëri gjithçka për të mbrojtur Belindën. Në fakt, asgjë nuk bëri për Belindën. Ai çdo gjë që e ka bërë, e ka bërë për të mbrojtur lëkurën e tij. Dhe vetëm lëkurën e tij.
Belinda është maska. Korrupsioni ka një emër, është Edi Rama. Belinda është thjesht një ushtar ose një gushau në lojën e korrupsionit të tij.
Ashtu sikundër edhe Gysi, Gys Agasi. Po, koordinator i Edi Ramës me krimin e organizuar ishte, por ishte thjesht koordinator, sepse interesat e krimit i përfaqëson, i ka mbajtur dhe i ka vlerësuar ky, Edi Rama.
Prandaj sot ai është i trembur. Dosja e Belindës ka brenda Edi Ramën. Dosja e Gysit ka brenda krimet e Edi Ramës.
Prandaj miq, Edi Rama është në panik.
Prandaj sot shan, shan, nxjerr vrer kundër mediave që e kritikojnë, kundër politikanëve të opozitës, kundër kryetarit të opozitës dhe kundër gjithkujt. Sepse ai e ndjen. Ai ka panik dhe për shkak të këtij paniku, javën e kaluar vendosi një precedent të rrezikshëm që s’ka ndodhur kurrë e s’ka guxuar kush kurrë në historinë e shtetit shqiptar ta bëjë.
Ai vendosi anti-shtetin me 83 kartonat e tij përballë shtetit.
Prandaj e zvarriti katër muaj çështjen e mandatit të Belinda Ballukut. E përsëris: jo se i dhimbte Belinda, jo se e ndjente Belindën. Jo! Por se e dinte që do t’i vijë radha dhe vrapoi të krijojë precedentin për t’i bërë bllok drejtësisë dhe shtetit duke krijuar anti-shtetin.
Tani, kjo që bëri është precedent shumë i rrezikshëm. Sepse praktikisht u tha edhe atyre ndërkombëtarëve që kanë investuar për reformën në drejtësi: drejtësia jam vetë. Drejtësi ka për ata që dua unë, për ata që s’dua unë nuk ka drejtësi.
Ai vendosi një standard të dyfishtë për ligjin.
Ligjit i nënshtroheni ju. I nënshtrohet çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi. Ligjit i nënshtrohet ai qytetari që s’kishte 5000 lekë të vjetra të paguante dritat në fund të muajit, me mbiemër Zela në Lushnjë, dhe që vdiq në burg.
Ligjit i nënshtrohet çdo qytetar që rregullon çatinë apo riparon dritaret. Po. Madje ligjit me burg i nënshtrohet edhe çdo qytetar që parkon dysh.
Por standardi i dytë i tij është: vjedhja e miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona eurove nga ky dhe oborrtarët e tij nuk duhet dënuar me ligj. Ajo duhet të mbrohet me ligj.
Dhe prisni se do ta dëgjoni. Do të mblidhet shumë shpejt ky i drejtësisë, Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Do të mbledhë shumë shpejt kolegjin për të hapur rrugë bllokimit të drejtësisë kur ajo ka synim këtë organizatë kriminale që fshihet në këtë ngrehinë.
