Sfidat e Turizmit, Rama zbret në Vlorë

Kryeministri Edi Rama qëndroi këtë të hënë në Vlorë ku pati një takim me një pjesë të deputetëve të qarkut, drejtues të pushtetit vendor dhe partisë Socialiste.

Kreu i mazhorancës u prit nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila njëherësh është edhe deputete e Vlorës, por edhe bashkëkryetare e PS atje.

E pranishme Brunilda Mersini në cilësinë e kryebashkiakes dhe disa drejtues të tjerë vendore,  por ra në sy mungesa e Bledi Çuçit, si drejtues politik I PS për qarkun.

Në qendër të takimit që zgjati për gati njëorë mësohet ishin projektet që po zhvillohen jo vetëm në Bashkinë e Vlorës, por në të gjithë qarkun, teksa është kërkuar koordinim mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore për përfundimin në kohë të projekteve.

Kryeministri mësohet se është ndalur edhe tek sezoni i ri turistik, ku ka kërkuar vëmendje të shtuar, si dhe nevojën për masa konkrete që lidhen me menaxhimin e hapësirave publike, përmirësimin e shërbimeve dhe garantimin e standardeve të pritjes për turistët.

Rama ka theksuar se Vlorës i është kushtuar një vëmendje e veçantë vitet e fundit përmes investimeve në infrastrukturë, turizëm dhe zhvillim urban.

Ai nënvizoi se këto projekte kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e potencialit turistik të qytetit dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe vizitorët.

Kryeministri është shprehur se përgatitja në kohë e infrastrukturës dhe e shërbimeve është thelbësore për të përballuar fluksin e vizitorëve që pritet gjatë muajve të verës në Vlorë dhe në zonat përreth.

Koordinim dhe bashkëpunim me Bashkinë u kërkua edhe në takimet e zhvilluara në selinë qendrore të PS në Tiranë.

Takimet vijnë edhe në kuadër të riorganizimit të Partisë Socialiste, për çka është thirrur edhe mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme, që do të mbahet më 21 mars në Durrës.