Ndryshimi i udhëzimit për licencat/ Serjani: Qindra mësues të bllokuar nga kualifikimi
I ftuar në studion e Ora News ishte Gentian Serjani, i cili foli për problematikën që, sipas tij, po prek qindra mësues në sistemin arsimor shqiptar pas një ndryshimi të fundit në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit.
"Udhëzimi i ri prek mësuesit që kanë përfunduar studimet e larta para vitit 2011, por janë punësuar në sistemin arsimor pas këtij viti. Këta mësues nuk mund të hyjnë në provimin e kualifikimit për ngritje në karrierë pa kaluar më parë provimin e shtetit për licencimin e profesionit."
Sipas tij, kjo krijon një pabarazi të dukshme mes mësuesve që kanë të njëjtën diplomë dhe të njëjtin formim akademik. Ai solli si shembull rastin e dy personave që kanë përfunduar studimet në të njëjtin vit dhe në të njëjtin fakultet. Nëse njëri është punësuar para vitit 2011, ai mund të futet në provimin e kualifikimit pa problem, ndërsa tjetri, i punësuar pas këtij viti, detyrohet të kalojë fillimisht provimin e shtetit për licencë.
Serjani theksoi se kjo situatë bie ndesh edhe me frymën e ligjit për arsimin parauniversitar, i cili në nenin 59 parashikon që punëdhënësi, në këtë rast Ministria e Arsimit, duhet të sigurojë kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve që janë pjesë e sistemit.
"Qindra mësues që aktualisht janë në sistem, japin mësim çdo ditë dhe paguhen si të tillë, por megjithatë nuk lejohen të futen në provimin e kualifikimit për shkak të këtij ndryshimi në udhëzim."
Sipas Serjanit, kjo situatë jo vetëm që krijon pabarazi mes mësuesve, por edhe rrit pasigurinë dhe stresin tek ata, të cilët në vend që të përqendrohen te përmirësimi i mësimdhënies për nxënësit, detyrohen të përballen me pengesa burokratike për të avancuar në karrierë.
Ndiqni intervistën e plotë:
