SHQETËSIMET E KONSUMATORIT SHQIPTAR/ Stafa: Ende heziton të ankohet, rritja e çmimeve nën vëzhgim

Qytetarët vazhdojnë të kenë shqetësime për cilësinë e produkteve ushqimore dhe për çmimet, ndërsa një pjesë e mirë e konsumatorëve ende nuk janë të ndërgjegjësuar për të drejtat e tyre dhe për mënyrën se si duhet të ankohen në rast abuzimi. Drejtori i ankesave të konsumatorëve, Hasan Stafa, u bën thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të raportojnë çdo rast që cenon të drejtat e tyre pasi ndërgjegjësimi dhe reagimi i tyre mbetet një nga faktorët kryesorë për të garantuar një treg më të drejtë për të gjithë.

Siguria ushqimore mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për qytetarët. Sipas specialistëve, konsumatori shqiptar vazhdon të hasë probleme jo vetëm me cilësinë e produkteve që tregtohen në treg, por edhe me transparencën e çmimeve.

Hasan Stafa Drejtori i Qendrës së Ankesave të Konsumatorëve Shqiptarë thotë se një tjetër problem i evidentuar është mungesa e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të drejtat e tyre pasi shumë prej tyre nuk dinë si të ankohen kur përballen me abuzime në treg.

Sipas tij, është e rëndësishme që bizneset të mos abuzojnë me rritjen e çmimeve, veçanërisht për produktet bazë të konsumit. Aktualisht, dy biznese që kanë rritur çmimin e bukës janë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës për të verifikuar nëse ka pasur abuzim në treg.

Stafa i bën thirrje qytetaretve që të denoncojnë çdo rast të dyshuar për shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore apo rritje të pajustifikuar të çmimeve, duke theksuar se vetëm përmes reagimit dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve mund të përmirësohet funksionimi i tregut.