Reagimi ndaj rasteve të incidenteve bilologjike, testohet në Tushemisht bashkëpunimi institucional
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe institucionet e shëndetit publik, zhvilluan një ushtrim stimulues në pikën e kalimit kufitar Tushemisht, në kuadër të një projekti të Bashkimit Evropian për forcimin e kapaciteteve në biosiguri.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Urgjencës Kombëtare, të cilët testuan në terren procedurat e reagimit dhe koordinimit ndërinstitucional në rast të incidenteve biologjike.
Gjatë ushtrimit u simulua një situatë emergjente për të vlerësuar shpejtësinë e reagimit të strukturave përgjegjëse, komunikimin mes institucioneve dhe menaxhimin e situatave që mund të rrezikojnë shëndetin publik dhe sigurinë në kufi.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se ky ushtrim përbën një hap të rëndësishëm në rritjen e gatishmërisë së institucioneve përballë rreziqeve biologjike.
“Ky ushtrim është një hap i rëndësishëm për përgatitjen dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, duke garantuar mbrojtjen e qytetarëve dhe kufijve të vendit”, u shpreh Beja.
Aktivitete të tilla synojnë të forcojnë kapacitetet operacionale të institucioneve shqiptare dhe të rrisin nivelin e koordinimit në përballimin e situatave emergjente që lidhen me biosigurinë.

