Berat/ Zjarri shkrumbon ullishtet e Duhanasit, të mbjellat mendohet të jenë djegur qëllimisht
Një zjarr ka përfshirë këtë të diel ullishtet e fshatit Duhanas në Berat, duke shkatërruar një pjesë të kodrës me pemë ulliri dhe duke u përhapur me shpejtësi në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur në fund të kodrës me ullinj dhe, i favorizuar nga era, janë përhapur drejt sipërfaqeve të tjera të mbjella me ullishte. Avancimi i zjarrit po përfshin edhe një zonë të gjelbëruar me pisha.
Tymi dhe flakët janë vënë re edhe nga banorët e lagjes Uznovë dhe zonave përreth.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e repartit zjarrfikës dhe efektivët e policisë, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.
Deri tani nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme apo një incident të shkaktuar nga pakujdesia.
