NË “MËSHIRË” TË SHENJAVE/ Sfida e personave që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin
Në Shqipëri jetojnë rreth 39 mijë persona me humbje të pjesshme ose të plotë të dëgjimit, të cilët shpesh përballen me vështirësi në komunikim dhe në marrjen e shërbimeve publike. Mungesa e interpretëve të gjuhës së shenjave mbetet një nga problemet kryesore për këtë komunitet. Një raport i fundit hedh dritë mbi sfidat me të cilat përballen çdo ditë personat që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin.
Në Shqipëri jetojnë mijëra persona që përballen çdo ditë me vështirësi në komunikim dhe në marrjen e shërbimeve bazë.
Sipas të dhënave të Censusit, numri i personave me humbje të pjesshme ose të plotë të dëgjimit arrin në 38 mijë e 814, ose afërsisht 39 mijë persona.
Rreth 5 mijë prej tyre kanë humbje të plotë të dëgjimit dhe nuk mund të flasin, çka i bën të varur nga përdorimi i gjuhës së shenjave për të komunikuar me të tjerët.
Një raport i realizuar nga Instituti për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare fillimisht u fokusua në aksesueshmërinë e këtij komuniteti në media. Por gjatë analizës u evidentua një problem edhe më i madh.
Sipas raportit, personat me probleme dëgjimi përballen me vështirësi serioze për të marrë shërbime në institucione publike, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, arsimore dhe shërbimet sociale.
Një nga problemet kryesore mbetet mungesa e interpretëve të gjuhës së shenjave.
Ekspertët theksojnë se prania e interpretëve të gjuhës së shenjave është thelbësore jo vetëm në edicionet informative, por edhe në institucionet publike, në mënyrë që personat që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin të kenë akses të barabartë në shërbime dhe në jetën shoqërore.
