Arti “l*kuriq” përballë AI/ Gripshi tregon për ekspozitën ku ndërthurret arti pamor me poezinë

I ftuar në studion e OraNews, artisti Oltsien Gripshi foli për ekspozitën e tij të re në Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës, një përvojë që ndërthur artin pamor me poezinë dhe mendimet e materializuara.

Sipas tij, ekspozita nuk është thjesht një koleksion veprash, por një përpjekje për të bërë të dukshme mendimet dhe emocionet e padukshme të publikut.

Gripshi shpjegoi se nata e hapjes u shndërrua në një mbrëmje poetike, ku aktorë të rinj, nën regjinë e Rozi Kostanit, interpretuan vargjet dhe i dhanë jetë veprave.

Ai tha se një ekspozitë pa publik dhe emocione njerëzore është e pakuptimtë dhe se kjo mbrëmje i dha një dimension të ri punës së tij.

"Kur publiku percepton dhe ndjen veprat, ato marrin jetë. Një ekspozitë pa njerëz është thjesht mure, pa emocion dhe pa kuptim."- u shpreh ai.

Gripshi tregoi se procesi krijues ka zgjatur dy vjet dhe se temat e trajtuara prekin dimensione të ndryshme të qenies njerëzore, përfshirë edhe përvojat personale dhe temat shëndetësore, si karcinoma e gjirit, duke u bërë një hartë e jetës së përjetuar nga individët.

"Vepra më e suksesshme është ajo që i prek njerëzit dhe u lejon të gjejnë një copëz të jetës së tyre në çdo vizitë."- nënvizoi Gripshi.

Ekspozita është një ndërthurje e veprave vizuale dhe poezisë, e cila fton vizitorët të bëhen pjesë e performancës dhe të perceptojnë emocionin që buron nga arti.

Ndiqni intervistën e plotë: