Jaupaj: Mbi 400 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura në dy muajt e parë të vitit

Zonat e mbrojtura në vend po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë të apasionuar pas natyrës dhe ekoturizmit. Ecjet në shtigje malore, vëzhgimi i shpendëve apo shijimi i peizazheve të lagunave dhe liqeneve janë disa nga përvojat që po nxisin interesin e turistëve për këto destinacione natyrore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj, bëri të ditur se gjatë dy muajve të parë të këtij viti mbi 400 mijë vizitorë kanë eksploruar zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Sipas tij, kjo shifër përfaqëson rreth 42 mijë vizitorë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të interesit për turizmin natyror dhe përvojat në natyrë.

“Që nga malet dhe parqet kombëtare e natyrore, deri te lagunat dhe peizazhet unike, zonat e mbrojtura po bëhen gjithnjë e më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj”, u shpreh Jaupaj.

Ai theksoi se rritja e numrit të vizitorëve përbën njëkohësisht një prioritet dhe përgjegjësi më të madhe për institucionet përgjegjëse, veçanërisht për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe administratat e zonave të mbrojtura në terren, për të garantuar menaxhim të qëndrueshëm dhe ruajtjen e pasurive natyrore.

Sipas tij, zhvillimi i ekoturizmit mbetet një nga drejtimet kryesore për promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe për vlerësimin e pasurive natyrore që ofron Shqipëria.