“Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat”, AKU: Rrit efikasitetin e kontrolleve ushqimore
Projekti qeverisë shqiptare për krijimin e “Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat” platforma e re digjitale për lehtësimin e procedurave doganore, pritet të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e sistemit të kontrollit ushqimor në Shqipëri, duke rritur besueshmërinë dhe transparencën e procedurave që lidhen me sigurinë e produkteve ushqimore që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Në këtë proces, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) do të ketë një rol kyç përmes integrimit të kontrolleve dhe verifikimeve në një platformë të vetme digjitale.
“Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat”, projekt i mbështetur nga Banka Botërore, synon të bashkojë në një sistem të vetëm të gjitha procedurat që lidhen me importin dhe eksportin e mallrave, duke përfshirë institucionet përgjegjëse për kontrollin dhe certifikimin.
Përmes këtij sistemi, AKU do të mund të kryejë në mënyrë më efikase monitorimin dhe kontrollin e produkteve ushqimore, duke përmirësuar koordinimin me institucionet e tjera dhe duke garantuar standarde më të larta të sigurisë ushqimore.
Zbatimi i projektit pritet të rrisë efikasitetin e shërbimeve publike, të ulë kostot administrative për bizneset dhe të përshpejtojë procedurat e tregtisë ndërkombëtare.
Gjithashtu, kjo nismë kontribuon në përafrimin e sistemit shqiptar të kontrollit me standardet e Bashkimit Europian, duke forcuar konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe duke përmirësuar klimën e biznesit në vend.
“Dritaren e Vetme Kombëtare për Doganat” (National Single Window-NSW), një iniciativë e rëndësishme për modernizimin e procedurave doganore dhe lehtësimin e tregtisë në Shqipëri, u prezantua të martën në Tiranë nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me përfaqësues të linjës.

