Përfundojnë punimet për forcimin e strukturave mbajtëse në urën auto-hekurudhore të Milotit

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, bëri të ditur sot se në urën auto-hekurudhore të Milotit kanë përfunduar ndërhyrjet për mbrojtjen dhe stabilizimin e strukturave mbajtëse të dëmtuara në aksin e rrugës së vjetër.

Sipas Kozelit, punimet në urën me gjatësi 788 metra përfshinë pastrimin dhe sistemimin e zonës përreth 32 pilave, nivelimin e shtratit të lumit, betonimin e themeleve në lartësi nga 1.5 deri në 2.5 metra, si dhe përforcimin e tyre me një qilim mbrojtës prej blloqesh gabioni të lidhura, sipas projektit teknik.

Këto ndërhyrje synojnë rritjen e qëndrueshmërisë së urës dhe mbrojtjen e saj nga gërryerjet e lumit, duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe funksionimin normal të kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore.