BABË E BIJË NË TESTET E RAKETAVE! Kim Jong Un bashkë me vajzën e tij ndjekin demonstrimin ushtarak mes tensioneve SHBA - Kore e Jugut

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ndoqi testet e raketave lundruese të lëshuara nga një anije luftarake. Në aktivitet ishte e pranishme edhe vajza e tij adoleshente, e cila është shfaqur shpesh në evente ushtarake. Testet vijnë në një moment tensionesh me SHBA dhe Korenë e Jugut për shkak të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka ndjekur testet e raketave strategjike lundruese të lëshuara nga një anije luftarake, ndërsa në krah të tij u shfaq edhe vajza adoleshente.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, testet u zhvilluan nga shkatërruesi detar “Choe Hyon”, një anije e re e marinës së Koresë së Veriut.

Pamjet e publikuara nga media shtetërore tregojnë Kim Jong Un dhe vajzën e tij duke ndjekur në një ekran momentin e lëshimit të raketave drejt objektivave në ishuj pranë bregdetit perëndimor të vendit.

Sipas raportimeve, raketat goditën objektivat e caktuar, ndërsa lideri korean theksoi nevojën për të ruajtur një forcë të fuqishme dhe të besueshme të parandalimit bërthamor.

Vajza e tij, e identifikuar nga mediat si Kim Ju Ae, rreth 13 vjeç, është shfaqur shpesh në evente të rëndësishme ushtarake dhe ceremoniale që nga fundi i vitit 2022.

Muajin e kaluar, agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut vlerësoi se Kim Jong Un mund të jetë pranë vendimit për ta përcaktuar atë si pasardhëse.

Testet e raketave vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, pas nisjes së stërvitjes ushtarake të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Pheniani i konsideron këto stërvitje si përgatitje për pushtim dhe shpesh i përgjigjet me teste raketore dhe demonstrime të forcës ushtarake.

Edhe motra e liderit korean, Kim Yo Jong, reagoi duke akuzuar SHBA-të dhe Korenë e Jugut për armiqësi ndaj vendit të saj dhe paralajmëroi se Koreja e Veriut do të forcojë aftësitë e saj të parandalimit ushtarak.

Stërvitja ushtarake “Mburoja e Lirisë”, që zgjat 11 ditë, përfshin simulime të komandës dhe programe stërvitore në terren dhe është një nga aktivitetet më të mëdha ushtarake të përbashkëta në rajon.