Sanchez: Bota po ndryshon, por vlerat e Evropës nuk duhet të ndryshojnë
Bota po ndryshon, por vlerat dhe parimet e Evropës nuk duhet të ndryshojnë.
Me këto fjalë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez mbrojti qëndrimin e Spanjës mbi krizën ndërkombëtare dhe përshkallëzimin ushtarak në Lindjen e Mesme në një intervistë me gazetën elDiario.es.
Duke iu referuar konfliktit me Iranin, kryeministri përsëriti kundërshtimin e tij ndaj luftës.
“Ne nuk do ta zgjidhim paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme me një paligjshmëri kaq flagrante”, deklaroi ai në lidhje me operacionin izraelito-amerikan në Iran dhe përgjigjen e regjimit të Ajatollahëve, i cili ka ndezur rajonin, duke kërkuar respektimin e ligjit ndërkombëtar.
Në debatin evropian, Sánchez u distancua nga disa nga qëndrimet e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, sipas së cilës ‘’Evropa nuk mund ta mbrojë rendin e vjetër ndërkombëtar’’.
“Ka elementë të fjalimit të saj me të cilët Spanja mund të pajtohet, për shembull, në rastin e politikës tregtare apo edhe respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit kombëtar për Grenlandën. Por, nga një perspektivë e politikës së jashtme, ndihemi shumë më rehat me fjalimin e mbajtur nga Presidenti i Këshillit (Evropian) Antonio Costa”, thekson Sánchez.
Ai bën thirrje për një reformë të sistemit shumëpalësh për të “i dhënë fund të drejtës së vetos në Kombet e Bashkuara”, për ta bërë rendin ndërkombëtar më përfaqësues dhe për të forcuar sistemin e bazuar në rregulla.

