Von der Leyen: Lufta ndaj Iranit po u kushton evropianëve miliarda euro në faturat e energjisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paralajmëruar për pasojat ekonomike që konflikti në Lindjen e Mesme po shkakton për evropianët, për shkak të varësisë së lartë të Bashkimit Evropian nga importet e lëndëve djegëse fosile.

Duke folur sot në Parlamentin Evropian në Strasbourg, Francë, Von der Leyen tha se që nga fillimi i konfliktit çmimet e gazit ishin rritur me 50%, ndërsa ato të naftës me 27%.

“Sikur ta përkthejmë këtë në euro: vetëm 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë 3 miliardë euro shtesë për importet e karburanteve fosile”, tha ajo.

“Ky është çmimi i varësisë sonë”, shtoi Von der Leyen.

Deklarata e saj erdhi pasi Komisioni Evropian prezantoi dje iniciativa të reja energjetike të BE-së, përfshirë planin për vendosjen e reaktorëve të rinj bërthamorë më të vegjël deri në fillim të viteve 2030, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë në bllok.

Von der Leyen shtoi se komisioni po shqyrtonte edhe masa të tjera për uljen e tarifave të energjisë, përfshirë mundësinë e vendosjes së një tavani për çmimin e gazit.

Pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, që shkaktoi rritje të fortë të çmimeve të energjisë në BE, pasojat e luftës në Iran janë hera e dytë në pak vite që tregjet energjetike evropiane tronditen nga konfliktet gjeopolitike.

Megjithatë, ajo theksoi se përpjekjet e fundit për të diversifikuar furnizuesit e lëndëve djegëse fosile po ndihmojnë në kufizimin e ndikimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Por, kjo nuk do të thotë se jemi imunë ndaj goditjeve të çmimeve. Tregjet e energjisë janë globale”, tha ajo.

“Sado masa të marrim, për sa kohë importojmë një pjesë të madhe të karburanteve fosile nga rajone të paqëndrueshme, ne mbetemi të cenueshëm dhe të varur”, tha Von der Leyen.