SKANDALI me 130 ton misër me toksinë kancerogjene/ Resuli: Po fëmijët tanë kush i mbron, AKU apo SPAK?
Duket se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po e humbet betejën për t’i siguruar qytetarëve ushqime të sigurta, pasi edhe në rastet kur arrin të bllokoje produkte të rrezikshme për konsum, ato përsëri përfundojnë në tryezat tona familjare.
Burime për “Ora investigim” bëjnë me dije se AKU ka bllokuar në Shkodër 130 ton misër me aflatoksinë.
OBSH e klasifikon aflatoksinën si kancerogjene të Grupit 1. Kur kafshët konsumojnë misrin me Aflatoksin, kjo toksinë kalon në qumësht , duke e kthyer qumështin dhe nënproduktet e tij në produkte të rrezikshme për konsum.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiste hedhja në treg e këtij misri, inspektorët e AKU i vendosën produktit shiritin e bllokimit, me destinacion asgjësimin e tij.
Burime të besueshme për “Ora investigim” na bëjnë me dije se subjekti importues i misrit me aflatoksinë është “MODI”shpk në Shkodër me administrator Z. Mondi Halaj.
Edhe pse subjekti nuk ka të drejtë të heqë shiriti e bllokimit dhe të lëvizë mallin dyshohet se i gjithë produkti i kontaminuar është hedhur në treg, duke rrezikuar rënde shëndetin e qytetarëve.
Inspektorët e AKU-së në Shkodër nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të 130 tonëve misër të bllokuar, i cili duhej të përfundonte në proces asgjësimi.
Ende nuk dihet saktësisht se ku është shpërndarë kjo sasi e kontaminuar, por fakti që ajo nuk gjendet më në magazinën e bllokuar ngre dyshime të forta se produkti ka përfunduar në treg.
Për këtë skandal ka reaguar edhe Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli.
Postimi i Ervin Resulit:
Po fëmijët tanë kush i mbron,AKU apo SPAK ?
Siguria ushqimore është një nga shtyllat më të rëndësishme të shëndetit publik. Kur institucionet funksionojnë siç duhet, çdo produkt i rrezikshëm identifikohet, bllokohet dhe gjurmohet deri në fund të zinxhirit të tij.
Por kur përpara syve të AKU-së zhduken 130 ton misër të kontaminuar me aflatoksinë – një toksinë e njohur kancerogjene –, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një incident të zakonshëm. Kemi të bëjmë me një alarm serioz për sigurinë ushqimore dhe për mbrojtjen e konsumatorit.
Si profesionist i fushës , dua të rikujtoj se aflatoksinat janë ndër ndotësit më të rrezikshëm biologjikë në zinxhirin ushqimor. Ato hyjnë fillimisht në ushqimin e kafshëve dhe më pas mund të transferohen në produkte si qumështi, mishi dhe derivatet e tyre.
Kjo është arsyeja pse në çdo vend me standarde serioze, çdo rast i tillë shoqërohet me gjurmueshmëri të plotë, transparencë publike dhe përgjegjësi ligjore për operatorët e përfshirë.
Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që përballemi me situata të tilla.AKU gjithmon i shpetojne raste të tilla ! Pak kohë më parë u diskutua për mandarina me mbetje pesticidesh, më pas për mish të kontaminuar me salmonelë, dhe sot për misër me aflatoksinë.
Kur raste të tilla përsëriten, lind një pyetje legjitime: A po funksionon realisht sistemi i kontrollit të sigurisë ushqimore në vend? AKU është thjeshtë taksidar apo garant i siguris ushqimore ?
Në këtë rast, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) duhet të japë përgjigje të qarta:
ku ndodhet kjo sasi misri, ku është shpërndarë, cilët operatorë e kanë trajtuar dhe nëse ka hyrë apo jo në zinxhirin ushqimor.
Sepse kur bëhet fjalë për produkte që mund të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, sidomos të fëmijëve, heshtja dhe paqartësia nuk janë opsion.
Siguria ushqimore nuk është thjesht një procedurë administrative.
Ajo është një detyrim ndaj shëndetit të publikut. Dhe kur lindin dyshime për rrezik në ushqimin që konsumojmë çdo ditë, është detyrë e çdo eksperti dhe qytetari të ngrejë zërin. Sepse në fund të fundit, pyetja mbetet e njëjtë: po fëmijët tanë kush i mbron?

