Qafmolla: Nga zgjedhjet te vendimet e mëdha, Kurti është gjithmonë fitues

Gazetari Ervin Qafmolla, i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit”, analizoi zhvillimet politike në Kosovë dhe mënyrën si kryeministri Albin Kurti po menaxhon përplasjet politike dhe institucionale në vend.

Sipas tij, Kurti është kthyer në një figurë të veçantë në politikën kosovare, duke fituar pothuajse çdo betejë politike gjatë dekadës së fundit.

Qafmolla tha se në politikën e Kosovës Kurti ka arritur të dalë fitues jo vetëm në zgjedhje, por edhe në vendime të rëndësishme politike, duke ruajtur kontrollin e lojës politike.

“Në dekadën e fundit, Kurti ka dëshmuar që në politikën kosovare është piloti që fiton çdo garë. Praktikisht ka një shkallë suksesi shumë të lartë, jo vetëm në zgjedhje, por edhe në vendimet që ka marrë.”- tha ai.

Ai shtoi se mënyra si vepron Kurti lidhet me ndjekjen e rregullave procedurale dhe me përdorimin e mekanizmave institucionalë për të mbajtur kontrollin e situatës politike.

“Kurti ka ndjekur gjithmonë librin e procedurave. Nëse nuk ka numrat për të formuar qeverinë apo për të zgjedhur presidentin, shkon në zgjedhje. Nëse nuk ka sërish numra, shkon përsëri në zgjedhje. Kjo është mënyra si e menaxhon lojën politike.”- shtoi Qafmolla.

Sipas Qafmollës, ndryshe nga liderët e mëparshëm në Kosovë, Kurti shfaqet si një figurë më pak e ndikuar nga presionet e jashtme dhe më e fokusuar në logjikën procedurale të vendimmarrjes politike.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":